Gjendet i vdekur një person në Prizren, nisin hetimet

Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën në Prizren. Sipas Policisë së Kosovës, viktima u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij. “Është raportuar se në shtëpinë e tij nga dëshmitari është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, ka njoftuar policia. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është duke u trajtuar në procedurë hetimore. Policia thekson se hetimet janë në zhvillim dhe nuk ka të dhëna shtesë për momentin. /Telegrafi/