Njësitë policore në Ferizaj kanë ndërmarrë kontrolle gjatë patrullimeve rutinë dhe kanë sekuestruar armë të dyshuara të përdorura pa autorizim. Sipas raportit të Policisë së Kosovës rasti i parë ka ndodhur rreth orës 23:30 ku njësiti policor ka ndaluar një veturë të drejtuar nga një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 6 fishekë, për të cilën i dyshuari kishte leje për shenjëtari. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari u intervistua dhe rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë. Kurse rasti tjetër ka ndodhur rreth orës 21:30 ku gjatë kontrollit të një automjeti tjetër në Ferizaj, tek një mashkull kosovar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë për të cilën nuk posedonte leje për bartje, e fshehur në një çantë brezi. I dyshuari u intervistua dhe me vendim të prokurorit, rasti po vazhdon të trajtohet në procedurë të lirë. Policia e Kosovës thekson se aksionet e këtij lloji synojnë parandalimin e përdorimit të armëve pa leje dhe ruajtjen e sigurisë publike. /Telegrafi/