Kosova dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit mbi të ardhurat. “Kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore. Përmes saj mundësohet eliminimi i barrës së tatimit të dyfishtë për individët dhe bizneset, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe aktivitete ekonomike", thuhet në njoftimin e ATK-së. Marrëveshja gjithashtu adreson parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore. “Duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mos-deklarim apo deklarim jo të saktë, përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore”, thekson ATK. Zbatimi i marrëveshjes është i vlefshëm për personat rezidentë të njërit apo të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet. “Marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen", thuhet tutje në njoftim. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet. Aktualisht, Republika e Kosovës ka 22 marrëveshje ndërkombëtare për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme, duke zgjeruar rrjetin e saj të bashkëpunimit tatimor global. /Telegrafi/