Myftiu Tërnava uron qytetarët për Fitër Bajram: Të lutemi për paqe dhe të angazhohemi për ndërtimin e një bote më të drejtë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit. Tërnava në një adresim për media tha se pas një udhëtimi të gjatë shpirtëror, të mbushur me përkushtim e sakrificë gjatë muajit të bekuar Ramazan, të premten qytetarët presin festën e Fitër Bajramit. “Ky muaj i begatë ishte një shkollë e lartë e edukimit shpirtëror dhe moral, ku besimtari u përpoq ta pastrojë zemrën, ta disiplinojë shpirtin dhe të afrohet më shumë me Zotin e Madhërishëm. Në përjetimin e agjërimit, lutjes dhe solidaritetit, ne rikthyem ekuilibrin e brendshëm dhe forcuam lidhjen tonë me Krijuesin dhe me njëri-tjetrin. Ramazani na mësoi se besimi nuk është vetëm fjalë, por përkushtim i gjallë. Ai na edukoi në durim, në sinqeritet dhe në përgjegjësi, duke na kujtuar se njeriu e arrin madhështinë e tij përmes përulësisë dhe devotshmërisë”, tha Tërnava. Tutje, kreu i BIK-ut tha se Fitër Bajrami është kurora e këtij rrugëtimi shpirtëror. “Ai nuk është vetëm një festë gëzimi, por një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore. Në këtë ditë, zemrat mbushen me paqe, falje dhe dashuri, ndërsa besimtari e ndien më fuqishëm përgjegjësinë e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë, për të përhapur të mirën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të moralshme. Në traditën tonë, Fitër Bajrami është festë e bashkimit, e pajtimit dhe e humanizmit. Është dita kur hapen zemrat, kur shtrihen duart e pajtimit dhe kur forcohen lidhjet familjare dhe shoqërore. Sofrat tona mbushen me begati, por mbi të gjitha me dashuri, respekt dhe mirënjohje. Kjo festë na kujton se gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët. Kjo është dita kur duhet të jemi më pranë njëri-tjetrit, më të kujdesshëm ndaj të varfërve, jetimëve, të moshuarve dhe të sëmurëve”, u shpreh Tërnava. Myftiu i Kosovës tha se në një kohë kur bota po përballet me konflikte dhe luftëra që po marrin jetë të pafajshme, kjo festë na fton të lutemi për paqe dhe të angazhohemi për ndërtimin e një bote më të drejtë. “Lutemi që Zoti i Madhërishëm ta udhëzojë njerëzimin, t’u japë fund luftërave, t’i ndalë vuajtjet dhe të sjellë paqe e mirëkuptim në botë. Fitër Bajrami na rikujton edhe fisnikërinë e njeriut dhe misionin e tij në tokë. Njeriu është i nderuar dhe i ngarkuar me përgjegjësi për të ndërtuar, për t’i ruajtur dhe për t’i përhapur vlerat e mirësisë dhe drejtësisë. Prandaj, kjo festë është një thirrje që të vazhdojmë rrugën e mirësisë, të drejtësisë dhe të përgjegjësisë edhe pas përfundimit të Ramazanit”, tha Myftiu. “Në këtë ditë të bekuar, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh urimet më të përzemërta për festën e Fitër Bajramit. Le të jetë kjo festë një burim gëzimi, paqeje dhe shprese për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Një urim i veçantë shkon për bashkatdhetarët tanë në mërgatë, të cilët, edhe pse larg atdheut, mbeten të lidhur fort me fenë, traditën dhe identitetin e tyre. Le të jetë kjo festë një urë që i afron zemrat dhe i forcon lidhjet tona shpirtërore. Gëzuar Fitër Bajramin!”. /Telegrafi/