Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë sot me një njoftim zyrtar lidhur me incidentin që përfshiu gazetarin dhe moderatorin e njohur të “Big Brother VIP Kosova”, Alaudin Hamiti. Ngjarja, e ndodhur më 20 shkurt në Prishtinë, kishte shkaktuar reagime të shumta publike, me mbështetje të gjerë për moderatorin. Sipas njoftimit të fundit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet L.B., i cili dyshohet për veprën penale të kanosjes ndaj gazetarit, pikërisht për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Autoritetet kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar praninë e të dyshuarit në procedurë, ndërsa brenda afateve ligjore pritet të paraqitet edhe kërkesa për caktimin e masave të mëtejshme. Në fund të reagimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, duke nënvizuar se raste të tilla do të trajtohen me seriozitet të plotë institucional. /Telegrafi/