Sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, ka reaguar ndaj spekulimeve të shumta për të ardhmen e tij, teksa emri i tij po lidhet me klube të mëdha si Bayern Munich, Barcelona dhe Borussia Dortmund. 23-vjeçari po kalon një sezon shumë të mirë në Bundesliga, ku ka realizuar nëntë gola dhe ka dhënë katër asistime, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve të Evropës. “Unë jam dikush që nuk merrem shumë me këto gjëra. Si vitin e kaluar, edhe tani jam i fokusuar vetëm te futbolli dhe ndeshjet e radhës. Në fund, nuk më ndihmon aspak nëse i kushtoj vëmendje gjithçkaje që ndodh rreth meje dhe shpërqendrohem – duhet të jap maksimumin në fushë”. Ai shtoi se tashmë nuk shqetësohet më nga zërat e merkatos. “Nuk shqetësohem më për asnjë spekulim apo çfarëdo tjetër. Thjesht e shijoj futbollin, dua vetëm të luaj dhe të performoj”. Sulmuesi kosovar më herët ka pranuar se Barcelona është klubi i tij i ëndrrave, ndërsa në kontratën e tij ekziston një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh. Aktualisht, Asllani është i fokusuar ta ndihmojë Kosovën të kualifikohet në Kampionatin Botëror, ku në gjysmëfinale të play-offit përballet me Sllovakinë./ Telegrafi /