Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, është shprehur optimist për shanset e skuadrës së tij në garat evropiane, duke ndarë gjithashtu edhe vizionin e tij për finalet ideale në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës gjatë një interviste për DAZN. Kur u pyet për një finale të mundshme të Ligës së Kampionëve që do të dëshironte të shihte, braziliani nuk hezitoi të përfshijë ekipin e tij: “Po e vendos Barcelonën aty sepse jam i sigurt që do të jemi në finale. Shpresoj kështu”, u shpreh ai. Sa i përket kundërshtarit ideal, Raphinha shtoi: “Paris Saint-Germain kundër Barcelonës”. Intervista vijoi me reflektime mbi futbollin ndërkombëtar, ku ai ndau një ëndërr personale për finalen e Kupës së Botës, përballjen mes Brazilit dhe Spanjës. “Në finalen e Botërorit do të më pëlqente të shihja Brazilin dhe Spanjën. Do të ishte interesante. Zemra ime do të ishte e ndarë”, tha ai. “E duam Neymarin me ne në Kupën e Botës”, Raphinha ‘kërcënon’ Ancelottin Raphinha pranoi se një skenar i tillë do të krijonte një dilemë emocionale, duke qenë i lidhur si me kombëtaren e tij ashtu edhe me bashkëlojtarë nga Spanja: “Nëse të dyja arrijnë finalen, duhet të mbështes vendin tim dhe do të bëj gjithçka për të fituar për kombin tim, por njëkohësisht do të jem i lumtur për bashkëlojtarët e mi”. Duke folur për rëndësinë e trofeve, ai theksoi mirënjohjen ndaj futbollit më shumë sesa vetë lavdinë: “Nëse fitoj Ligën e Kampionëve me Barcelonën, do ta festoj në Budapest dhe në Camp Nou. Nëse fitoj Kupën e Botës me Brazilin, do ta bëj gjithashtu, si një mënyrë për të shprehur mirënjohjen time ndaj futbollit dhe fushës, e cila është toka jonë e shenjtë”, përfundoi Raphinha. /Telegrafi/