Asisti i Enis Bardhit vulos triumfin e Konyasporit

Në javën e 27-të të Superligës turke, Konyaspor regjistroi fitore tejet të rëndësishme në shtëpi ndaj Gençlerbirligi , duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në një përballje direkte mes skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës, njofton Telegrafi. Ndeshja për një kohë të gjatë u luajt pa u shënuar gola, kur në minutën e 86-të Jackson Muleka shfrytëzoi asistimin perfekt të Enis Bardhit dhe realizoi golin vendimtar që i dhuroi tri pikë me shumë peshë ekipit vendas. Kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Bardhi, zhvilloi një paraqitje të mirë, duke qenë vendimtar në momentin kyç të ndeshjes, ndërsa u zëvendësua vetëm në fund, gjatë minutave shtesë. Skuadra e drejtuar nga Ilhan Palut vazhdon formën pozitive, duke e çuar në tre ndeshje serinë pa humbje dhe duke u ngjitur në kuotën e 30 pikëve. Në anën tjetër, Gençlerbirligi i trajnerit Volkan Demirel po kalon momente të vështira, pasi nuk ka arritur të fitojë në tri ndeshjet e fundit dhe mbetet në 25 pikë. /Telegrafi/