Historia do të gjykojë”, Tërnava me mesazh ndaj liderëve politikë në ditën e Bajramit

Sot besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin. Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:18, nën udhëheqjen e kryeimamit të Bashkësia Islame e Kosovës, Vedat Sahiti, ndërsa hytben tradicionale e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili u është drejtuar besimtarëve me mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkimi. “Sot është dita e Fitër Bajramit, dita e gëzimit, falënderimit dhe shpërblimit për ata që përjetuan ramazanin me besim dhe përkushtim. Për shpirtrat që mëshira e Allahut shfaqet dhe zemrat e mbushura me dritë dhe qetësi. Ramazani nuk ishte një muaj që kaloj, por një shkollë që na mësojë durimin, përmbajtjen dhe afrimin dhe adhurimin ndaj Zotit”, tha ai. Në mesazhin e tij, Tërnava ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave familjare, ndihmës ndaj nevojtarëve dhe forcimit të unitetit shoqëror, duke e cilësuar këtë festë si një moment reflektimi dhe falënderimi pas sakrificës së agjërimit. “Në kohën e sotme për t’u përballur me krizën morale dhe sociale kërkohet domosdoshmërish respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimit në mes individëve, komuniteteve pa asnjë formë dominimi ekonomik, kulturor apo ushtarak. Bashkësia njerëzore nuk është vetëm një nevojë sociale por një parim fetar dhe kombëtar i rrënjosur mbi historinë dhe dinjitetin e popullit tonë. Në realitetin e sotëm ku egoizmi, urrejtja dhe konflikti shpesh cenojnë marrëdhëniet ndër njerëzore, kuptimi i vërtet i dashurisë së paqes duket si përjashtim nga feja. Fetë megjithatë japin mesazh paqeje, duke ofruar udhëzime për respekt të ndërsjellët, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndër njerëzor. Besimi në fetë nga njerëzit e padijshëm shpesh abuzoheni për përçarje. Sipas islamit nuk mund të imagjinohet që njerëzit të bashkohen në një fe apo kulturë të vetme, ngase krijimi i dallimeve në mes njerëzve tregon madhështinë dhe vullnetin e Zotit “, tha ai. Sipas tij, Kurani e dëshmon që diversiteti është element i pandashëm i natyrës njerëzore që duhet kuptuar dhe respektuar në mënyrë të përgjegjshme. “S’ka dyshim që edhe shoqëria jonë po përballet me sfida të shumta. Shpesh shohim tensione, përçarje, vështirësi në zgjidhjen e problemeve politike apo sociale, të cilat direkt prekin jetën e qytetarit. Duhet ditur se dialogu është më i fort se përçarja, se urtësia është me e fort se zemërimi, se përgjegjësia është më e fort se interesi personal. Nëse këto vlera i kultivojmë në jetën shoqërore, shumë probleme do të zgjidheshin vet. Megjithatë mos të humbasim shpresën ngase shpresa është forca një gjë që e mban popullin gjatë”, tha ai. Në fund ai theksoi se e ndjen obligim moral dhe qytetar t’iu drejtohet me një fjalë të sinqertë edhe faktorit politikë të vendit tonë, raporton kp. “Është e papranueshme që sot në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të vullnetit politikë për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike. Në moment të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore , kërkohet kulturë dialogu e mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesat e vendit dhe kombit mbi çdo interes tjetër. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë por edhe momentet kur përgjegjësia shmanget. Lusim Zotin që të na bekojë me urtësi e drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë për vendin dhe kombin, qoftë si individ apo si shoqëri. Zoti i madhërishëm të na bëj prej atyre që ndërtojmë familje të forta, rini të ndershme dhe një shoqëri me besim, moral dhe dashuri për atdheun”, tha ai.