Rasti i fëmijës 5 vjeçar ishte i njohur prej vitesh - gjithçka që dihet deri më tani për ngjarjen e rëndë në Lipjan

Policia e Kosovës ditë më parë njoftoi se një i mitur ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Rasti u bë e ditur se ka ndodhur në Lipjan, ndërsa prindërit e tij u arrestuan për shkak të shkeljes së detyrimeve familjare. Ky rast tronditi opinionin, gjersa u njoftua se bëhet fjalë për një fëmijë 5-vjeçar dhe prindër me probleme të shëndetit mendor. Më shqetësuese u theksua fakti që rasti nuk ishte i panjohur për autoritetet përkatëse, pasi me këtë familje ishin marr edhe më parë. Pas dërgimit të fëmijës 5-vjeçar në Repartin Intensiv të Pediatrisë, kjo klinikë ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të të miturit. Nga njoftimi i fundit që ka lëshuar QKUK bëhet e ditur se pacienti 5 vjeç është i hospitalizuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik. 5-vjeçari nga Lipjani i është nënshtruar me sukses intervenimit kirurgjik në shputa, SHSKUK jep detaje Ai i është nënshtruar një intervenimi të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike, ndërkaq gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore. E pasi u bë publik rasti, Qendra për Punë Sociale në Lipjan tashmë ka marr nën përkujdesje edhe fëmijët tjerë të asaj familjeje. Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli ka thënë se institucioni ka vepruar sipas kompetencave ligjore duke ndërhyrë menjëherë në rastet kur ka pasur rrezik për fëmijët. Rasti në Lipjan, QPS merr nën përkujdesje edhe fëmijët e tjerë të çiftit të arrestuar Ajo theksoi se janë marrë masa emergjente mbrojtëse, përfshirë largimin e përkohshëm nga familja, bazuar në vlerësim profesional dhe në interesin më të mirë të fëmijëve. Lidhur me rastin kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile dhe ato për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës. Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5-vjeçar nga Komuna e Lipjanit. KOMF thekson se sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh. “Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagim. KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, pasi mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive. “Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, thuhet në reagim. Në lidhje me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, ka reaguar edhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, duke shprehur shqetësimin e thellë mbi mosfunksionimin e sistemit të shëndetit mendor si njëri ndër shkaktarët e këtij rasti të rëndë. “Rreth 4 vjet më parë, familjes në fjalë iu larguan fëmijët përkohësisht pasi që QPS e Lipjanit alarmoi Policinë e Kosovës për kushtet e tmerrshme të jetesës, së bashku me neglizhencën ndaj fëmijëve që, sipas tyre, ishte rezultat i problemeve të shëndetit mendor me të cilat ballafaqohej nëna e fëmijëve. Në atë kohë, nëna e fëmijëve ishte dërguar në Klinikën Psikiatrike të Prishtinës, ku supozohet se është diagnostikuar nga stafi dhe i janë ndarë mendimet gjykatës rreth aftësisë së individit për vetë-kujdesin dhe kujdesin ndaj fëmijëve të saj. Megjithatë, pavarësisht situatës dhe shqetësimeve të ngritura, gjykata riktheu fëmijët dhe, sipas informatave që kemi, familja ka mbetur tërësisht e pambështetur dhe pamonitoruar nga shërbimet e shëndetit mendor përgjatë këtyre viteve”, thuhet në reagim. Sipas QIPS-it, në parim, pasi që të lirohet individi nga klinika e psikiatrisë duhet të referohet si rast në Qendrën e Shëndetit Mendor (QShM) më të afërt (në këtë rast QShM të Prishtinës) për mbështetje të mëtutjeshme në komunitet dhe me vizita të rregullta nga QShM, ku stafi profesional shëndetësor mbështet dhe mbështetet nga Qendra për Punë Sociale, dhe ka mundësi që të sigurohet për mirëqenien e prindërve si dhe të fëmijëve para se të përfundojnë rastet në tragjedi. “Ndërkaq në praktikë kjo është e pamundur që të ndodhë, për shkak se këto qendra janë krejtësisht të pambështetura nga Ministria e Shëndetësisë. Shqetësimi i QIPS, rrjedhimisht, është se raste të tilla nuk janë të izoluara apo unike, por janë rezultat i neglizhencës institucionale shumëvjeçare e cila ka lënë anash mjetet më efektive për parandalim dhe mbështetje të personave me çrregullime të shëndetit mendor”, thuhet tutje. Për rastin e rëndë kanë reaguar edhe UNICEF-i, AMC, etj. AMC reagon për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan: Kërkon ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi për autorët Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, të enjten në një konferencë për media ka folur për rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan nga prindërit e tij. Ai pas mbledhjes së qeverisë tha se kjo familje ka qenë nën trajtimin e Qendrës për Punë Sociale që nga viti 2013. Sipas tij, që nga ajo kohë, disa herë janë marrë fëmijët nga prindërit, por më pas janë rikthyer sërish pas analizave psikiatrike të prindërve. Ministri Hoti shtoi se është në pritje të raportit përfundimtar për rastin e 5-vjeçarit, që më pastaj të marrë masat e duhura. Ai nënvizoi se nëse ka shkelje të rënda, do të revokohen licencat për individë që janë ofrues të shërbimeve sociale. Edhe nga Komuna e Lipjanit kanë thënë se nëse konstatohet se zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale kanë bërë shkelje dhe kanë neglizhuar rastin e 5-vjeçarit do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme karshi tyre siç e parasheh legjislacioni në fuqi. Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Besarta Qadraku ka thënë se do të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e rrethanave për rastin e 5-vjeçarit, i cili për shkak të keqtrajtimit nga prindërit është në gjendje shëndetësore të rëndë duke u trajtuar nga QKUK. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar paraburgim për nënën dhe babanë e fëmijës 5‑vjeçar, i cili është gjetur me lëndime të rënda trupore pas keqtrajtimeve në familje. “Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, për secilin”, thuhet në njoftim. Ndërkaq, të enjten, më 19 mars, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5 vjeçar në komunën e Lipjanit. “Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete. Prokurori i shtetit, me përkushtim të lartë kujdeset për të ndjekur kryerësit e mundshëm e veprave penale dhe për të zbardhur kryerjen e këtyre veprave, e me theks të veçantë në rastet kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e fëmijëve, si një kategori e ndjeshme e shoqërisë”, thuhet në njoftim. 5‑vjeçari ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët konstatuan plagë të shumta dhe ndryshime gangrenoze, si dhe dyshohet se fëmija ka qenë i kequshqyer. /Telegrafi/