Nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani varet edhe “fati” i qeverisë së Kosovës. Nëse në fund të këtij muaji gjykata vendos që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, qeveria “Kurti 3” do të jetë në mandat teknik deri në mbajtjen e tyre. A i përshtatet pushteti i kufizuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti – mendimet e bashkëbiseduesve tanë për këtë çështje janë të ndryshme. Ndërsa disa vlerësojnë se një situatë e tillë do të ishte e favorshme për të, sepse do të shmangte detyrimet në dialogun me Beogradin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të tjerë mendojnë se një qeveri në mandat teknik do të ishte në dëm të Kurtit në planin afatgjatë.