MPB jep detaje të reja për arrestimin e drejtorit, Vase Anakiev

MPB ka dhënë detaje të reja për arrestimin e Drejtorit të Inspektoratit të Bujqësisë, Vase Anakiev, përcjell Telegrafi Maqedoni. "Më 20.03.2026, oficerët e policisë nga Njësia e Korrupsionit në kuadër të Sektorit të Hetimeve Penale në Departamentin për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë e kanë ndaluar V.A. (41) nga Koçani dhe kundër tij u ngrit një kallëzim penal në PTHP për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale "marrje ryshfeti" sipas nenit 357 të Kodit Penal", thuhet në njoftimin e MPB-së. Nga MPB thonë se V.A., në cilësinë e tij si zyrtar, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, me qëllim që të përfitonte dobi pasurore të paligjshme nga pronari i një personi juridik që merrej me import, indirekt përmes një spedicioneri, kërkoi ryshfet në shumën prej 100.000 eurosh, me qëllim kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhej ta kryente. "Konkretisht, i dëmtuari u informua se mallrat që po importonte ishin të ndaluara për hyrje dhe se ato duhet të ktheheshin sepse nuk ishin në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi dhe se një raport ishte përgatitur më parë nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë. Që importi të vazhdonte pa probleme, të dëmtuarit i është kërkuar të paguajë 100.000 euro, të cilat ai duhej t'i paguante në tre këste, një në shumën 50.000 euro dhe dy në shumën 25.000 euro. Më 19.03.2026, është kryer transferimi i fondeve në fjalë në shumën 50.000 euro si kësti i parë i ryshfetit të kërkuar, ku spedicioneri fillimisht ia ka marrë ato personit të dëmtuar, për t'ia dorëzuar më vonë V.A.-së. Pas marrjes së parave nga V.A., janë ndërmarrë masa dhe aktivitete operative taktike dhe, bazuar në urdhrat e lëshuar, është kryer kontrolli i personit, automjetit dhe bagazhit. Gjatë kontrollit të një automjeti pasagjerësh, nën sediljen e pasagjerit, janë gjetur dhe sekuestruar paratë", thonë nga MPB./Telegrafi/