Barcelona është në kërkim të një mbrojtësi qendror të ri dhe në këtë fazë objektivi kryesor është Alessandro Bastoni i Interit. Megjithatë, ekzistojnë dyshime serioze nëse reprezentuesi italian mund të transferohet në ‘Camp Nou’, pasi çmimi i tij pritet të jetë shumë më i lartë sesa mundësitë financiare të klubit katalanas. Edhe pse është raportuar se Interi mund të pranojë oferta mbi 50 milionë euro, sipas Estadio Deportivo , klubi italian kërkon një paketë totale rreth 100 milionë euro, një shumë që Barcelona nuk mund ta përballojë, sidomos duke pasur parasysh se planifikon edhe transferimin e një sulmuesi qendror. Për këtë arsye, Barcelona ka nisur të shqyrtojë alternativa të tjera. Një prej tyre është Pau Torres, i cili pëlqehet për përvojën e tij në La Liga, ku më parë ka luajtur me Villarrealin. Më herët është raportuar se Torres do ta mirëpriste një transferim te Barcelona, por negociatat me Aston Villan nuk do të jenë të lehta, pasi anglezët e konsiderojnë atë një lojtar shumë të rëndësishëm. Një tjetër opsion për katalanasit është Nico Schlotterbeck. Duke pasur paqartësi rreth rinovimit të kontratës së tij me Borussia Dortmundin, mbrojtësi gjerman mund të jetë i disponueshëm këtë verë. Megjithatë, Barcelona do të përballet me konkurrencë të fortë nga rivali i madh Real Madrid, që aktualisht është në avantazh për transferimin e tij. Bastoni mbetet profili ideal për Barcelonën, por edhe Torres dhe Schlotterbeck përmbushin shumë nga kërkesat e klubit./ Telegrafi /