Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka folur për pasojat e rritjes së çmimit të naftës në Kosovë nga konflikti në Lindjen e Mesme. Ahmeti, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka paralajmëruar për pasojat e menjëhershme të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit. Sipas Ahmetit, kompanitë që importojnë produkte energjetike nga Lindja e Mesme, Ngushtica e Hormuzit dhe Azia kanë marrë informacion se çmimet do të dyfishohen. “E kemi parë të gjithë se pasojat e para janë rritjet e të gjitha derivateve në pompa pastaj kjo ka ndikuar në rritjen e çmimit të kompanive që kryejnë shërbime të bartjes së këtyre derivateve. Këto ditë kam marrë informacione se të gjitha kompanitë të cilat merren me importimin e produkteve të ndryshme qoftë nga Lindja e Mesme ose që kalojnë nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, në këtë rast edhe ato që vijnë nga Azia kanë marrë një informacion nga kompanitë partnere se çmimi do të jetë dyfish më i madh sesa që i kanë marrë deri tash”, u shpreh Ahmeti. Mes tjerash, Ahmeti kritikoi mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore, duke theksuar se deri tani nuk kanë mbajtur asnjë takim për të diskutuar për veprimet që duhen ndërmarrë. “Do të thotë që menjëherë kemi parë rritje të çmimeve e që do të ketë edhe çmime të produkteve tjera që do të rriten, fatkeqësisht. Deri tani nuk ka pasur lëvizje në rritje të inflacionit – ne kemi kërkuar prej fillimit kemi kërkuar që të ndërmerren veprime nga shteti dhe do të duhej që të thirreshim dhe të diskutonim për veprimet që do të duhej të ndërmirren deri tani ne ende asnjë takim nuk e kemi mbajtur me institucione. Institucionet kanë mbetur të heshtura dhe po rrinë si spektatore dhe nuk po ofrojnë ndonjë zgjidhje për këtë gjë. Ne kemi kërkuar edhe uljen e akcizës për derivatet e naftës të cilat kanë një ndikim të madh në vendin tonë duke e ditur që importohet 100% nga jashtë – kemi kërkuar që të pezullohet për një kohë edhe pagesa për produktet esenciale në këtë rast për tatimin që është për produktet esenciale, TVSH-në”. “Po ashtu të rishikohet mundësia për bizneset që po përballen me këtë situatë pasi nuk po i dihet fundi kësaj lufte – të ndërmerret ndonjë veprim për ndihmesë ndaj bizneseve që mund të preken. Deri tani asnjë veprim nuk është marrë dhe ajo që jemi duke parë këto ditë është që shteti po dëshiron të bëjë një autoritet që merret me vendosjen e çmimeve – institucionet po kanë komoditet për krijimin e agjencive të reja teksa këto që janë aktuale ‘janë duke e bërë namin’ është për të ardhur keq gjendja në të cilën gjendemi”, u shpreh Ahmeti. Ahmeti, mes tjerash, u shpreh se në vazhdimësi u kanë ofruar gatishmëri institucioneve për bashkëpunim për gjetje të zgjidhjeve në mënyrë që qytetarët të mos dëmtohen./ Tv Dukagjini /