'Tigri' që po sundon në Turqi, Hadergjonaj flet për të gjitha: Sezoni më i mirë në jetë, do japim gjithçka për Botërorin

Nuk ka një futbollistë të Kosovës me formë më të mirë se Florent Hadergjonaj, i cili është një mbrojtës shumë i fortë, por që këtë edicion është shndërruar në një 'bomber' në Turqi, me golat dhe asistimet e tij. Mbrojtësi i djathtë kosovar, Florent Hadergjonaj, po kalon një sezon fantastik në elitën e futbollit turk me Alanyaspor, duke regjistruar statistika mbresëlënëse që e rendisin si mbrojtësin më produktivë në ligë dhe ndër më produktivët në gjithë futbollin evropian. 31-vjeçari ka zhvilluar 23 ndeshje në Superligën turke, duke realizuar pesë gola dhe shtatë asistime. Ndërkohë, në Kupën e Turqisë ka shtuar edhe tre gola dhe një asistim, duke e çuar totalin në tetë gola dhe tetë asistime, një arritje e jashtëzakonshme për një mbrojtës, ndërkohë që ka ende ndeshje deri në fund të sezonit. Hadergjonaj ka një karrierë të bujshme, ku e nisi te Young Boys Bern, derisa ka luajtur edhe në Bundesliga me Ingolstadt dhe në Ligën Premier me Huddersfield për dy sezone para se të transferohej te Kasimpasa e tani te Alanyaspor. Ai nuk ka shënuar vetëm nga penalltitë këtë edicion që janë specialitet i tij, por ka realizuar edhe gola spektakolar nga distanca që janë nominuar edhe për 'Golin e javës' apo golin e vitit. Në një intervistë për Telegrafin, Hadergjonaj ka folur për formën e tij të shkëlqyer, vetëbesimin, guximin në lojë dhe objektivat me klubin dhe Kombëtaren. Duke folur për formën e tij aktuale, ai thekson se ky është kulmi i karrierës së tij deri më tani dhe se ndihet në gjendje perfekte fizike dhe mendore. “Po, pa dyshim është sezoni më i mirë në karrierën time deri tani. Edhe sezonin e kaluar kam pasur një formë shumë të mirë, por këtë vit e kam tejkaluar edhe atë. Jam shumë i lumtur me formën time aktuale dhe me kontributin që po i jap ekipit. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe mentalisht, dhe kjo po reflektohet edhe në fushë”, thotë Hadergjonaj për Telegrafin. Ai vlerëson statistikat e tij dhe rolin që ka në ekip, duke theksuar rëndësinë e kontributit ofensivë edhe për mbrojtësit në futbollin modern. “Po, janë statistika shumë të mira dhe jam i kënaqur që mund të kontribuoj kaq shumë për ekipin. Futbolli modern kërkon që edhe mbrojtësit të kenë ndikim në sulm, dhe unë punoj shumë për këtë aspekt të lojës sime”. Hadergjonaj shprehet se nuk është i befasuar nga forma e tij, pasi gjithmonë ka pasur besim në aftësitë dhe potencialin e vet. “Po, unë e di shumë mirë se çfarë jam në gjendje të bëj dhe çfarë kapaciteti kam. Kjo nuk është diçka që më ka befasuar. Kam besuar gjithmonë në veten time dhe kam punuar shumë për këtë nivel. Kur e njeh veten dhe punon çdo ditë, këto rezultate vijnë natyrshëm”, vazhdon tutje mbrojtësi dardan. Ai ndalet edhe te përgjegjësia që merr në fushë, përfshirë ekzekutimin e penalltive dhe guximin për të rrezikuar më shumë në lojë. “Më pëlqen të marr përgjegjësi, dhe për këtë arsye edhe i gjuaj penalltitë te klubi im. Por golat e fundit nuk kanë qenë vetëm nga penalltitë, kam shënuar edhe gola shumë të bukur, të cilët janë nominuar edhe në Superligën turke për ‘golin e muajit’. Kohët e fundit po marr më shumë rrezik në lojën time dhe po guxoj më shumë të godas drejt portës, dhe kjo po shpërblehet. Besoj se kur ke guxim dhe besim në vete, në fund shpërblehesh edhe me gola të bukur". "Edhe te penalltitë marr përgjegjësi pa hezitim, sepse nuk kam frikë, kam gjak të nxehtë dhe jam gjithmonë i ‘zjarrtë’ në fushë (Tigër i Deçanit ma hahhaha)”, vazhdon Hadergjonaj duke qeshur. Sa i përket objektivave personale, ai nuk e përjashton mundësinë për të arritur shifra edhe më të larta deri në fund të sezonit. A do t’i arrish 20 kontribute me gola dhe asistime deri në fund të sezonit? “Pse jo? Nëse vazhdoj me këtë ritëm dhe qëndroj i shëndetshëm, gjithçka është e mundur. Por fokusi im kryesor është gjithmonë suksesi i ekipit”. Duke folur për të ardhmen, ai tregon se është i fokusuar te klubi aktual, por lë të hapura mundësitë për ndryshime, pasi gjithmonë emri tij lidhet me klube të tjera, kjo edhe falë formës së shkëlqyer që ka treguar. “Aktualisht kam edhe një vit kontratë me Alanyaspor. Por të gjithë e dinë si funksionon futbolli – gjithçka është e mundur, sidomos kur ke një sezon dhe statistika të tilla. Për momentin jam i fokusuar te ekipi im, ndërsa e ardhmja do të bëhet e qartë në kohën e duhur”, tha Hadergjonaj. Kombëtarja e Kosovës ka një ndeshje jetike para vetës për Play-Off të Kampionatit Botërorë, ku më 26 mars përballet me Sllovakinë në Bratislavë. Kur vjen puna te Kombëtarja, Hadergjonaj shpreh krenari dhe motivim maksimal për të përfaqësuar vendin. “Gjithmonë është nder i madh të përfaqësosh Kosovën. Vij me shumë motivim dhe krenari, dhe jam shumë i etur për t’u bashkuar me ekipin. Mezi po e pres grumbullimin dhe ndeshjet, jam vërtet shumë i motivuar dhe ‘i zjarrtë’ për të dhënë maksimumin në fushë”. Ai e konsideron ndeshjen e ardhshme ndaj Sllovakisë si më të rëndësishmen në karrierë dhe beson se ekipi ka mundësi historike. “Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, dhe besoj se edhe për bashkëlojtarët e mi. Kemi një mundësi të madhe për të arritur diçka të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe për të shkruar histori. Do të japim gjithçka në fushë për këtë objektiv", tha Hadergjonaj për Telegrafin. Sa i përket skenarëve të mundshëm të ndeshjes, ai shpreson për fitore në kohë të rregullt, por është i gatshëm edhe për penallti. “Shpresoj që ndeshja të vendoset brenda 90 minutave në favorin tonë. Por nëse shkon deri te penalltitë, kemi lojtarë me shumë eksperiencë në këto situata. Edhe personalisht nuk kam asnjë dyshim, jam gati të marr përgjegjësi dhe nuk kam frikë", thotë deçanasi. 2023/03/Hadergjonaj-scaled-1.jpg telegrafi.com Në rast se Kosova mposhtë Sllovakinë, atëherë në finale do të pres fituesin e duelit Turqi - Rumani, ku për Hadergjonajn do të ishte një ndeshje speciale nëse do të përballej me turqit. “Nëse do të jetë Turqia, sigurisht që për mua do të jetë diçka shumë speciale, pasi jetoj dhe luaj prej shumë vitesh këtu dhe kam një lidhje të fortë me vendin. Por në fund, nuk ka rëndësi kundërshtari, ne duhet të jemi të fokusuar dhe të gatshëm për këdo që vjen". Në fund, ai ka një mesazh të veçantë për tifozët, duke premtuar përkushtim maksimal nga ai dhe ekipi. “Një mesazh i veçantë për tifozët tanë më të zjarrtë: ju gjithmonë e bëni pjesën tuaj në mënyrë perfekte, si në momentet e mira ashtu edhe në ato të vështira, gjithmonë qëndroni pas nesh dhe kjo do të thotë shumë për ne". 2022/09/Florent-Hadergjonaj-1-2.jpg telegrafi.com "Personalisht, si Florent Hadergjonaj, i vendos të dyja duart në zjarr që do të jap maksimumin tim dhe gjithçka nga vetja në fushë. Besoj se edhe bashkëlojtarët e mi janë në të njëjtin nivel përkushtimi. Së bashku kemi mundësinë të arrijmë diçka historike dhe të shkruajmë histori për Kosovën”, përfundoi Hadergjonaj. 31-vjeçari është pjesë e Kombëtares së Kosovës që nga viti 2019 dhe gjithmonë është një nga futbollistët që jep maksimumin për fanellën e ekipit kombëtar. Mbrojtësi anësorë ka zhvilluar 38 ndeshje me Kosovën, teksa ka shënuar një gol ndaj Maqedonisë,derisa ka bërë katër asistime. /Telegrafi/