Si rrjedhin dezinformatat ruse në mediat kosovare?

Që nga shkurti i vitit 2022, në Kosovë janë publikuar rreth 400 mijë artikuj në mediat në gjuhën shqipe për luftën në Ukrainë dhe ngjarjet që lidhen me Rusinë. Analiza mbi këto informacione që shpërndahen çdo ditë, tregoi se shpesh publiku kosovar lexoi informacione të çrregullta e jo të plota në në shumë raste edhe dezinformata mbi ngjarjet atje. Një pjesë e madhe e informacioneve po ashtu vijnë të kopjuara (copy-paste), duke mos u shtuar kontekst për ngjarjet dhe zhvillimet rreth luftës. Ngjashëm ndodh që për shumë ngjarje që lidhen me çështjet ndëretnike në Kosovë, shumë lajme kopjohen nga gjuha serbe, shpesh nga mediat në Shqipëri dhe publikohen të njëjtat edhe në mediat e Kosovës. Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com thotë se ndikimi rus në Ballkan ka lëshuar rrënjët. Sipas tij, mënyra sesi shpërndahen lajmet që burim kanë Rusinë janë të mirë menduara. “Elementi i parë që kemi dashur të bëjmë me studimin është të sigurojmë provat që ndikimi rus ka vendosur rrënjët e veta në rajonin e Ballkanit, e veçanërisht në audiencën shqiptare. Duke pasur parasysh që dy gjuhët kryesore në Ballkanin Perëndimor janë serbishtja dhe shqipja” – thotë ai në “KallxoPërnime”. “Të dhënat të cilat i kemi siguruar duke analizuar përmbajtjen, na tregojnë që në të dyja gjuhët influenca ruse ka shtrirë rrënjë shumë dhe në disa raste është shndërruar në burimin e parë të informacionit. Kjo nënkupton që një pjesë e madhe e lajmeve që qytetarët i marrin si të vërteta, realisht burimin kryesor e kanë te burimet e propagandës ruse” – thotë Gashi. Ai ka thënë që deri tek të dhënat, është përdorur një metodologji e hulumtimit ku janë përfshirë 150 platforma që operojnë në treguan medial të Kosovës. Sipas Gashit, njëri prej problemeve që ndodh gjatë raportimit të konfikteve ushtarake është që nuk balancohen raportimet. “Mirë është të kuptohet çfarë po ndodh në Ukrainë, por asnjë media e Kosovës nuk e ka asnjë korrespondent atje. Kjo nënkupton që jemi duke bërë komplet kopjim (“copy-paste”) për një realitet i cili ndodh atje, duke marrë narrativën ose të Ukrainës ose të Rusisë” – thotë ai. Një problem tjetër sipas tij është se disa media në Kosovë ri-publikojnë artikuj në gjuhën shqipe, pa e ditur se kush qëndron prapa përkthimit. Kjo sipas tij, është një strategji që Rusia po e përdorë në Ballkanin Perëndimor. Kreshnik Gashi – KALLXO.com “Fakti që kemi ndërtuar një sistem kopjimi prej mediave ndërkombëtare, bën që rusët ta kuptojnë qartë se publiku ynë u beson mediave si BBC, Reuters apo CNN, dhe si rrjedhojë kanë ndryshuar strategjinë. Ata kanë angazhuar përkthyes që i përkthejnë mediat ndërkombëtare duke e hequr kontekstin, dhe i shesin në platformat që i përkthejnë shpejt informacionet” – ka vlerësuar Kreshnik Gashi. Sipas gazetarit, Melazim Koci, qëllimi i Rusisë është që të fitohet lufta e informacionit. “Është investimi më i lirë i mundshëm, sepse asnjë luftë sot nuk fitohet nëse paraprakisht nuk fitohet lufta informative. Kosova është e goditur jo vetëm nga lufta speciale dezinformuese ruse dhe serbe, por ka edhe palë të tjera të përfshira. Është një investim shumë i vogël, por me përfitime të jashtëzakonshme” – vlerëson Koci. “Unë nuk mendoj që ata synojnë që shumicës shqiptare t’ia ndërrojnë qëndrimin apo botëkuptimin. Por me atë investim të vogël, ata synojnë të fusin dyshim në vlerat demokratike perëndimore. E dyta është futja e defetizmit në popullatën kosovare” – thotë Melazim Koci. Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në portalin “Telegrafi” thotë se disa media në Kosovë nuk kanë kapacitete për të mbuluar lajmet ndërkombëtare. “Ka media në Kosovë që respektojnë kodin etik profesional, por mandej është problemi i brendshëm i kapaciteteve redaktoriale dhe financave. Pala që do të të dëmtojë, ndikon lehtë. Për ta zgjidhur si problem në Telegrafi, ne kemi një redaksi shumë të madhe që mbulon lajmet ndërkombëtare, me katër deri në pesë veta vetëm për këtë sektor. Temat e luftës në Ukrainë, Lindjes së Mesme dhe rajonit lexohen jashtëzakonisht shumë” – thotë Hajrullahu. Ai ka shpjeguar edhe mënyrën se si përfundojnë disa lajme në gjuhën shqipe pa u verifikuar fare. Muhamet Hajrullahu -Telegrafi.com “Në fillim e pashë që mediat e Kosovës merrnin lajmet e kopjuara (“copy-paste”) nga mediat në Shqipëri pa asnjë lloj filtri, thjesht se krijonin përshtypjen që çfarëdo medie atje është në rregull. Ne e diskutuam dhe vendosëm të bëjmë një listë të zezë (“black list”) të mediave që nuk duhet t’i citojmë, dhe një listë për ato që duhet t’i citojmë” – thotë ai. Një hulumtim i platformës “Pikasa.ai” ka treguar që rreth 52% e artikujve të publikuar në Kosovë lidhur me luftën në Ukrainë nuk citojnë asnjë burim të informacionit. Kjo sipas Fitim Gashit nga “S’bunker” ndodh për dy arsye. “Mund të jetë për dy arsye, edhe e koordinuar, por edhe e paqëllimshme për shkak të mungesës së kapaciteteve të mediave tona për t’i trajtuar në mënyrë profesionale informacionet. Targeti kryesor i dezinformatave ruse është komuniteti serb në Kosovë, por ka edhe raste kur publikohen në platformat e gjuhës shqipe lajme të dyshimta ku nuk dihet burimi” – thotë Fitim Gashi. Njëra prej formave për të parandaluar ri-publikimin e lajmeve të dyshimta është që mediat të investojnë në dërgimin e korrespondentëve nëpër vendet ku raportohet. Fitim Gashi – S’bunker “Nevojë ka gjithmonë për korrespondentë, por shumica e mediave nuk e shohin të rrugës të caktojnë një korrespondent në Serbi apo në rajon për shkak të mungesës së financave. Lajmet që dalin nga kanalet proqeveritare të Serbisë shpesh publikohen pa filtër nga mediat tona për shkak të mungesës së kapaciteteve redaktoriale dhe njohurive. Është shumë e rëndësishme që atyre deklaratave t’u jepet një kontekst për të shmangur nxitjen e tensioneve” – ka thënë Fitim Gashi nga “S’bunker”./ Kallxo.com