Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë sot se punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag kolapsi, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi. Tahiri në një postim në Facebook shkruan se çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës Lexoni t ë plotë postimin : Punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag KOLAPSI, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi. Shteti funksional është në rrezik. PSE? Çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës. Çdo ditë pa veprime konkrete në këtë situatë të pazakontë po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune. Kjo qeveri po përpiqet të “luftojë” çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim. Shtetet serioze nuk bëjnë populizëm me çmime artificiale. ATO: – ulin përkohësisht akcizën dhe TVSH-në – subvencionojnë sektorët kritikë – krijojnë rezerva strategjike shtetërore – targetojnë ndihmën direkt te qytetarët Përvoja nga Ukraina gjatë krizave të fundit dhe modeli i Japonisë me rezerva për afro një vit tregojnë qartë se si duhet vepruar. Ndërkohë, tek ne kërkesa është minimale dhe urgjente: - Lirimi i menjëhershëm i së paku 8 centëve nga TVSH-ja - Heqja e akcizës për naftën, deri sa të stabilizohet situata. Pa këtë ndërhyrje, një valë mbylljesh biznesesh dhe humbjesh të vendeve të punës është e pashmangshme. Ironia është e madhe: nga njëra anë mburremi me rritje të të hyrave buxhetore, nga ana tjetër po e mbytim sektorin që i gjeneron ato. Kjo nuk është menaxhim ekonomik, është një iluzion i rrezikshëm që do të paguhet shtrenjtë nga qytetarët. Veproni sot. Nesër mund të jetë vonë. /Telegrafi/