Zyrtarët e Pentagonit kanë bërë përgatitje të detajuara për dislokimin e forcave tokësore amerikane në Iran. Komandantët e lartë ushtarakë kanë paraqitur kërkesa konkrete me qëllim përgatitjen për një opsion të tillë, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton hapat në konfliktin me Iranin që udhëhiqet nga SHBA-ja dhe Izraeli. CBS raporton se Trump po mendon të pozicionojë forca tokësore në rajon. Nuk është e qartë në çfarë rrethanash ai do të miratonte përdorimin e trupave në terren. Ushtria gjithashtu ka mbajtur takime për t’u përgatitur për mundësinë e ndalimit të ushtarëve iranianë dhe operativëve paraushtarakë, nëse Trump vendos që forcat amerikane të hyjnë në terren. Dy burime kanë thënë se është diskutuar edhe vendi ku do të transferoheshin të ndaluarit iranianë. MINUTË PAS MINUTE - Lufta në Iran dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme Shtetet e Bashkuara po përgatiten të dislokojnë elemente të Divizionit të 82-të ajror në rajonin e Lindjes së Mesme, transmeton Telegrafi. Mijëra marinsa aktualisht po zhvendosen drejt Lindjes së Mesme. Tre anije luftarake dhe rreth 2200 marinsa nga një njësi ekspedicionare u larguan nga Kalifornia më herët këtë javë, sipas dy zyrtarëve amerikanë. Ky është kontingjenti i dytë i tillë që është dërguar që nga fillimi i luftës, dhe mund të duhen disa javë derisa të vendoset plotësisht. I pari është nisur nga Paqësori dhe ende është në rrugë drejt rajonit. Këto veprime theksojnë përpjekjet e Pentagonit për të zgjeruar opsionet ushtarake në dispozicion të Trumpit, edhe pse zyrtarët e administratës publikisht refuzojnë të diskutojnë për hapat e ardhshëm të mundshëm. /Telegrafi/