Shkëndija e Tetovës vazhdon marshimin drejt titullit, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Makedonija Gj.P me rezultat minimal 0-1, në kuadër të javës së 24-të. Edhe pse nuk shkëlqyen plotësisht në lojë, tetovarët treguan pjekuri dhe karakter kampioni, duke arkëtuar tri pikë “të arta” që i ngjitin në krye të tabelës me pikë të barabarta me Vardarin, njofton Telegrafi. telegrafi.com Pjesa e parë u karakterizua me raste në të dyja anët, ku Shkëndija rrezikoi disa herë, por pa arritur të konkretizojë, ndërsa vendasit gjithashtu patën momentet e tyre. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, kur Krasniqi në minutën e 53-të realizoi golin e vetëm të takimit, pas një presioni më të madh të mysafirëve. Deri në fund, Shkëndija administroi avantazhin me lojë të qetë dhe të organizuar, duke mos lejuar befasi. Në anën tjetër, Vardari pësoi një humbje të papritur në transfertë ndaj Arsimi me rezultat 1-0. Goli i vetëm u shënua në minutën e 43-të nga Goni, ndërsa vendasit u mbrojtën me shumë disiplinë në pjesën e dytë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe dominimit në disa faza, Vardari nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, përballë një portieri në super formë. Kështu, gara për titull merr një kthesë interesante, me dy rivalët kryesorë tashmë në kuotë të njëjtë pikësh, çka premton një finish dramatik të sezonit. Në javën e ardhshme, Shkëndija do të përballet me Pelisteri, Vardari pret Makedonija Gj.P, ndërsa Arsimi do të luajë ndaj AP Brera. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore