Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Bokshiq të Klinës. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se vëllai ka vrarë vëllain me armë zjarri. Bëhet fjalë për Faruk Jusufin, i cili pas plagëve të marra ka ndërruar jetë para se të arrij në Spitalin e Pejës. Rastin e konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi. “Rreth orës 15:10 policia është njoftuar se, pas një fjalosjeje mes dy vëllezërve, njëri nga ta e qëlloi tjetrin me armë. Viktima u dërgua në emergjencën e Klinës e më pas u bart drejt Spitalit të Pejës. Pak para se të nisej në drejtim të QKUK-së për tretman mjekësor, viktima fatkeqësisht ndërroi jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të policisë dhe Prokurorisë, të cilat po vijojnë me procedurat hetimore”, tha Gashi. Faruk Isufi që u vra sot në Klinë ishte bashkëluftëtar i Ramush Haradinajt Faruk Jusufi, para pak ditësh ka dhënë një intervistë per KosovaPress, ku ka folur për ndërprerjen e pensionit si veteran. Ai i është bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si 20-vjeçar. Ai e ka gëzuar pensionin e veteranit që nga paslufta, por pas punësimit në këtë ndërmarrje i ishte ndërprerë pensioni. Për tre muaj arriti ta marrë sërish, ndërsa që nga shkurti pagesa nuk ishte ekzekutuar nga shteti.