Aktori Nicholas Brendon, ylli i filmit "Buffy the Vampire Slayer", ndërron jetë në moshën 54 vjeç

Aktori amerikan Nicholas Brendon, i njohur më së miri për rolin e tij si Xander Harris në serialin e njohur "Buffy the Vampire Slayer", vdiq në moshën 54 vjeç. Lajmi se aktori kishte ndërruar jetë u konfirmua në një deklaratë nga familja e tij të postuar në Instagram. "Me zemër të thyer ndajmë lajmin për vdekjen e vëllait dhe djalit tonë, Nicholas Brendon. Ai vdiq në gjumë nga shkaqe natyrore", tha familja, duke shtuar se shumica e njerëzve e njohin atë për arritjet e tij në aktrim dhe personazhet që ai solli në jetë gjatë karrierës së tij. Gjithashtu u vu re se vitet e fundit ai kishte gjetur një pasion të madh për pikturën dhe artin, të cilin e ndante me kënaqësi me familjen, miqtë dhe fansat e tij. Familja e tij e përshkruan atë si një person të apasionuar, të ndjeshëm me një dëshirë të pashtershme për të krijuar. "Ata që e njihnin vërtet e dinin se arti i tij ishte një nga pasqyrimet më të sinqerta të personalitetit të tij. Edhe pse nuk është sekret që Nicholas kishte pasur vështirësi në të kaluarën, ai ishte në terapi dhe merrte ilaçe për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tij, dhe në kohën e vdekjes së tij ai ishte optimist për të ardhmen", thuhej në deklaratë. Kolegja e tij në film, Alyson Hannigan, e cila luajti personazhin Willow Rosenberg, i bëri homazh atij në rrjetet sociale. "Niki im i dashur, faleminderit për vitet e të qeshurave, dashurisë dhe kujtimeve. Do të të kujtoj sa herë që shoh një karrige lëkundëse. Të dua. U prehsh në paqe", shkroi ajo. View this post on Instagram A post shared by Sarah Michelle (@sarahmgellar) Brendon luajti në serial përkrah Sarah Michelle Gellar, Charisma Carpenter, David Boreanaz, Seth Green dhe Anthony Stewart Head nga viti 1997 deri në vitin 2003. Në vitin 2022, ai zbuloi se kishte pësuar një atak në zemër, pas të cilit iu diagnostikua një defekt i lindur në zemër. Ai gjithashtu vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore e njohur si sindroma "cauda equina", e cila e detyroi atë t'i nënshtrohej disa operacioneve në shtyllën kurrizore. Nicholas Brendon Schultz lindi në vitin 1971 në Los Angeles dhe kishte një vëlla binjak, Kelly Donovan. Gjatë karrierës së tij, ai u shfaq në seriale të shumta si "Criminal Minds", "Private Practice" dhe "Married... with Children", si dhe në filmat "Psycho Beach Party", "Coherence" dhe "The Nanny". Në një intervistë të vitit 2017, Brendon deklaroi se puna në serialin "Buffy the Vampire Slayer" ishte një përvojë e veçantë për të, duke e përshkruar atë si "diçka të veçantë dhe pothuajse të destinuar" dhe pranoi se shpesh nuk mund ta besonte që ishte pjesë e projektit. /Telegrafi/