Peng vetëm disa detaje, Juventusi gjen “gjuhën e përbashkët” me Luciano Spallettin

Luciano Spalletti është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Juventusin, sipas ekspertit të transferimeve Niccolo Ceccarini. Pushimi i ardhshëm i kombëtareve pritet të shfrytëzohet nga klubi për të finalizuar planet strategjike, ku në agjendë janë si lëvizjet në merkato ashtu edhe e ardhmja e trajnerit. Një marrëveshje e përgjithshme tashmë është arritur me ish-trajnerin e Italisë për kohëzgjatjen e kontratës, e cila pritet të jetë dyvjeçare. Diskutimet e mbetura kanë të bëjnë me strukturën e marrëveshjes – nëse do të jetë kontratë e drejtpërdrejtë dyvjeçare apo një marrëveshje njëvjeçare me opsion për një sezon të dytë. Këto detaje të fundit nuk vënë në dyshim të ardhmen e Spallettit te Juventusi. Sipas kushteve të reja, trajneri pritet të fitojë rreth 6 milionë euro në sezon. Ndërkohë, Juventusi po synon që këtë edicion të renditet në top katër për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm 2026/27. /Telegrafi/