"Ishim superiorë, zhvilluam ndeshje të madhe" - Bastoni harron rezultatin e derbit

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, është vënë në qendër të kritikave pas humbjes dramatike 4-3 ndaj Juventusit, e dyta radhazi për zikaltrit në Serie A. Performanca e tij në fushë nuk ishte pa të meta, pasi disa gabime individuale çuan në raste të rrezikshme për kundërshtarin. Pas ndeshjes, ai foli për DAZN , duke bërë një analizë të sinqertë të situatës. “Kur pëson katër gola, është e qartë që vlerësimet janë pothuajse të gjitha negative. Ishim pak të pafat në disa episode, sepse mendoj se meritonim të merrnim më shumë nga kjo ndeshje. Goli i Adzic ishte një goditje e jashtëzakonshme nga distanca. Në fund ndiheshim të lodhur dhe nuk kishim freskinë e duhur. Tani duhet të rikthehemi me forcë, sepse pas tre ditësh fillon Liga e Kampionëve dhe aty nuk ka vend për gabime”, deklaroi Bastoni. Alessandro Bastoni Bastoni theksoi se Interi bëri një paraqitje të mirë në përgjithësi, por mungesa e qetësisë në momentet vendimtare u pagua shtrenjtë. “Luajtëm një ndeshje të shkëlqyer dhe patëm një qëndrim superior në fushë. Edhe pse ishim dy herë në disavantazh, arritëm të reagonim. Megjithatë, nuk ishim mjaftueshëm të kthjellët në fazat e fundit dhe kjo bëri diferencën. Kampionati është i gjatë, por ne duhet të bëjmë më mirë”, nënvizoi italiani. Mbrojtësi italian kujtoi edhe eksperiencat e tij me Interin në vitet e fundit, përfshirë finalen e Ligës së Kampionëve. Kalulu dhe Basroni “Për mua ky është një sezon i ri, nuk dua të jetoj me fantazmat e së kaluarës. Jam krenar që kam luajtur në një finale të Ligës së Kampionëve, sepse nuk janë shumë lojtarë që mund të thonë një gjë të tillë. Kur dominon në lojë, ka pak për të shtuar, por në futboll vendosin detajet”, përfundoi ai. /Telegrafi/