Sir Elton John u pa i buzëqeshur dhe me humor të mirë këtë fundjavë në stadiumin Vicarage Road , ku ndoqi nga tribunat ndeshjen mes Watford dhe Blackburn Rovers. Legjenda e muzikës, 78 vjeç, dhe ish-kryetar i klubit, zgjodhi të ulej në vendet premium, duke mbajtur syzet e tij karakteristike blu, një fanellë të re të Watford-it poshtë xhaketës së zezë dhe pantallona të zeza. Para fillimit të lojës, Elton u pa duke biseduar me tifozët pranë tij dhe duke shijuar atmosferën e stadiumit, shkruan DailyMail. Duke folur për fanellën e re të ekipit, ai tha: “Pasioni im për këtë klub nuk ka vdekur kurrë. Jam krenar për Watford-in që kur isha pesë vjeç, kur luanim me uniformë blu dhe kishim dy tribuna të vjetra e të rrënuara. Është në zemrën dhe shpirtin tim, tifozët kanë qenë gjithmonë në zemrën time”. Shfaqja e tij në stadium erdhi vetëm pak ditë pasi ai shqetësoi fansat me disa fotografi nga spitali, ku dukej i shtrirë në shtrat dhe me trup të mbështjellë në gips. Megjithatë, këngëtari shpjegoi më pas se gjithçka ishte pjesë e një shakaje dhe një promovimi për filmin e ri Spinal Tap II . Ai bëri humor në Instagram duke shkruar: “U tund shumë… përfundova në gips!”, ndërsa sqaroi se ishte thjesht prapa skenave të projektit filmik. Spinal Tap II: The End Continues , me regji nga Rob Reiner, vjen 41 vjet pas filmit kult This Is Spinal Tap . Në të, Elton do të bëjë një paraqitje të shkurtër krahas ikonave të tjera të muzikës si Sir Paul McCartney dhe Garth Brooks. Projekti do të ndjekë ribashkimin e grupit imagjinar rock, duke e sjellë atë për herë të fundit në skenë pas një pauze të gjatë. Elton John, që la postin e kryetarit të Watford në vitin 2002, mbetet president nderi i përjetshëm i klubit dhe një nga figurat më të dashura për tifozët. Prania e tij në stadium këtë fundjavë ishte një rikthim i ngrohtë dhe i shumëpritur për komunitetin sportiv e muzikor njëkohësisht. /Telegrafi/