Policia holandeze ndalon shqiptarët të mblidhen para Gjykatës Speciale

Autoritetet holandeze kanë rritur masat e sigurisë në Hagë, në pritje të protestës së paralajmëruar nga mërgata shqiptare, e cila do të mbahet sot duke filluar nga ora 14:00. Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, e cila ndodhet në Hagë raporton se policia holandeze i ka ndaluar protestuesit që të mblidhen përpara selisë së Gjykatës Speciale. Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbahet sot në kryeqytetin e Holandës por ajo nuk do të zhvillohet para Gjykatës, por në një shesh tjetër. Në mbështetje të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, protesta është thirrur kundër padrejtësive në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Para nisjes së protestës, protestuesit janë mbledhur para gjykatës me thirrjen: "UÇK!" Protesta zhvillohet vetëm një ditë para nisjes së fazës së re të procesit gjyqësor. Të hënën, pala mbrojtëse do të fillojë paraqitjen e dëshmitarëve, mes të cilëve pritet të jetë edhe James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, i njohur për rolin e tij diplomatik gjatë luftës në Kosovë. Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato politike dhe të padrejta, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht proces transparent dhe të paanshëm. Ekipi i Telegrafit, gazetarja Jehona Hulaj së bashku me kameramanin Blendi Aligjiku, ndodhet në Hagë dhe do të raportojë nga afër jo vetëm për protestën e sotme, por edhe për zhvillimet në sallën e gjyqit gjatë ditëve në vazhdim./Telegrafi/