“Nderim për ata që luftuan për të ardhmen tonë”, “Drejtësi për heronjtë e popullit tim”, dhe “Pesë vjet në gjykim, liria nuk duhet askund, padrejtësia nuk mund të zgjasë përgjithmonë – liri tani”, janë disa nga pankartat në gjuhën angleze. Me mijëra shqiptarë nga e gjitha bota kanë filluar të mblidhen në qytetin holandez, në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku do të mbahet protesta në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga pamjet e fotografitë e dërguara nga ekipi i Telegrafit i cili po raporton nga atje, shihet numër i madh i protestuesve shqiptarë të cilët kanë filluar të mblidhen një orë para se nis zyrtarisht protesta. Me flamuj kuq e zi e njëzëri duke thirrur “UÇK”, shqiptarët kanë “pushtuar” Hagën. Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbahet sot në kryeqytetin e Holandës por ajo nuk do të zhvillohet para Gjykatës, por në një shesh tjetër. Në mbështetje të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, protesta është thirrur kundër padrejtësive në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protesta zhvillohet vetëm një ditë para nisjes së fazës së re të procesit gjyqësor. Të hënën, pala mbrojtëse do të fillojë paraqitjen e dëshmitarëve, mes të cilëve pritet të jetë edhe James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, i njohur për rolin e tij diplomatik gjatë luftës në Kosovë. Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato politike dhe të padrejta, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht proces transparent dhe të paanshëm. Ekipi i Telegrafit, gazetarja Jehona Hulaj së bashku me kameramanin Blendi Aligjiku, ndodhet në Hagë dhe po raportojë nga afër jo vetëm për protestën e sotme, por edhe për zhvillimet në sallën e gjyqit gjatë ditëve në vazhdim./Telegrafi/