Pas muajsh ftohjeje në marrëdhënien e tyre, këngëtaret e njohura Kida dhe Dafina Zeqiri janë pajtuar sërish, duke i dhënë fund spekulimeve për prishjen e përhershme të miqësisë. Të dyja artistet, që dikur njiheshin për bashkëpunime të suksesshme dhe një raport shumë të afërt, kishin surprizuar fansat kur në shtator të vitit të kaluar Kida iu shtua listës së personave me të cilët Dafina kishte ndërprerë marrëdhëniet. Arsyet e prishjes së marrëdhënies nuk u bënë kurrë të ditura publikisht, por sipas burimeve të Prive by Liberta Spahiu , dy artistet kanë gjetur rrugën për të rikthyer komunikimin dhe respektin e ndërsjellë. Foto: Screenshot/YouTube (Dafina Zeqiri ft Kida - Luje Belin) Një shenjë e qartë e pajtimit është reflektuar edhe në rrjetet sociale, ku Dafina dhe Kida kanë filluar të ndiqen përsëri në Instagram, pasi u hoqën në vitin 2024. Pajtimi i tyre ka ngjallur reagime pozitive te fansat, të cilët prej kohësh shpresonin për rikthimin e kësaj miqësie dhe ndoshta edhe për një bashkëpunim të ri muzikor. Përveç kësaj, burime të afërta me Prive bëjnë me dije se Dafina po punon për një brand të sajin të veshjeve, të cilin planifikon ta lançojë shumë shpejt, çka tregon se këngëtarja është e fokusuar jo vetëm në muzikë, por edhe në projekte të tjera kreative. Të dyja artistet mbeten emra të rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare, dhe fakti që kanë vendosur të lënë pas mospajtimet është pritur si një zhvillim i bukur për industrinë e muzikës dhe për publikun që i ndjek prej vitesh. /Telegrafi/ - YouTube www.youtube.com