Arteta: Nënshkrimet e verës ishin vendimtare për Arsenalin

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka theksuar rëndësinë e nënshkrimeve të bëra gjatë afatit kalimtar të verës, ku “Topçinjtë” shtuan në skuadër tetë lojtarë të rinj. Ndër ta, vetëm mbrojtësi Piero Hincapie u bashkua në formë huazimi. Arteta pranoi se këto afrime ishin të domosdoshme për shkak të problemeve me lëndime që kanë prekur skuadrën. “Nëse nuk do ta kishim bërë këtë, me lëndimet tona, disa prej të cilave janë shumë të vështira për t’u menaxhuar do të ishim në një pozicion krejtësisht të ndryshëm,” u shpreh ai. Ai shtoi se Arsenali po ndjek standardet e skuadrave më të forta, si në Premier League ashtu edhe në Evropë. “Ne e dinim se ky ishte standardi; është standardi i ekipeve të tjera në Ligën Premier dhe në Evropë. Mund ta shihni këtë", tha trajneri spanjoll. Në fund, Arteta theksoi edhe ndikimin pozitiv të afrimeve të reja në grup. “Jam shumë i lumtur që na jep shkathtësi, aftësinë për të ndryshuar lojën dhe për t’i sjellë freski skuadrës. Tani duhet të sigurohemi që të gjithë të ndihen të përfshirë dhe të rëndësishëm", tha Arteta. /Telegrafi/