Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka treguar se ishte shumë afër largimit nga “Camp Nou” verën e kaluar, pasi mori një ofertë të majme nga Arabia Saudite, por vendosi të qëndrojë pas një bisede të rëndësishme me trajnerin Hansi Flick. Braziliani ka pranuar se ishte tunduar nga aspekti financiar i ofertës, duke e parë si mundësi për të siguruar të ardhmen e familjes, por trajneri gjerman arriti ta bindë të mos largohet. “Sigurisht që mendova të largohem. Mendova se ndoshta kishte ardhur koha ime për të ikur, por pastaj folëm me trajnerin — fillimisht në telefon dhe më pas në fillim të parasezonit dhe ai arriti të më bindte të qëndroja. Faleminderit Zotit që e bëri”, deklaroi Raphinha. “Oferta nga Arabia Saudite më bëri të hezitoj shumë. Do ta kisha zgjidhur jetën time, atë të prindërve të mi, djalit tim dhe shumë njerëzve përreth meje. Kam qenë në futboll që nga mosha 15-vjeçare, kam kaluar shumë, dhe erdhi një moment kur mendova se ishte koha të kujdesesha për familjen". Sezoni i kaluar ishte ndër më të mirët për sulmuesin, i cili u bë një prej faktorëve kryesorë në suksesin e Barcelonës drejt tripletës vendase, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të frikshëm të futbollit evropian. Megjithatë, fillimi i këtij sezoni ka qenë më i vështirë për 27-vjeçarin, që aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim në kofshë dhe pritet të rikthehet në fushë në javët e ardhshme. /Telegrafi/