Burimi: The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Pas më shumë se dy vjetëve në ankth dhe pasiguri, 20 pengjet izraelite, të mbajtura nga Hamasi, janë kthyer pranë familjeve të veta. Ky sukses diplomatik përbën një hap kyç drejt zbatimit të fazës së parë të planit të presidentit Donald Trump për armëpushim në Gazë. Po ashtu, duhet të shërbejë si nxitje për rikthimin e personave të zhdukur nga Ukraina. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014, zhdukjet e detyruara janë bërë realitet tragjik në jetën e përditshme në Ukrainën lindore. Sipas një raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2019, 12 banorë të Krimesë u zhdukën menjëherë pas pushtimit rus dhe më vonë u gjetën të vdekur. Autoritetet në Krime nuk i hetuan këto zhdukje dhe në vend të kësaj i etiketuan gabimisht si vetëvrasje. Kjo klimë mosndëshkimi dhe mashtrimi ia hapi rrugën abuzimeve edhe më të rënda. Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) kreu bastisje masive në shtëpitë e tatarëve të Krimesë, për të shtypur aktivizmin kundër Rusisë në gadishull. Ndërsa Marrëveshjet e Minskut II të vitit 2015 filluan të shpërbëheshin për shkak të agresionit të separatistëve pro-rusë, në Donjeck u rritën arrestimet arbitrare të personave të akuzuar si “spiunë ukrainas” dhe “terroristë”. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) publikoi një raport në vitin 2019, që dënonte disa prej këtyre shkeljeve, Ukraina mori ndihmë të pamjaftueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk është për t’u habitur që pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia e ka përkeqësuar më tej krizën e personave të zhdukur. Zyrtarët ukrainas pretendojnë se mbi 70 mijë persona janë zhdukur që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Nga këta, vetëm 12 mijë janë konfirmuar të vdekur, janë liruar në shkëmbime pengjesh ose janë identifikuar. Nga këta të zhdukur, të paktën 20 mijë janë fëmijë. Nën pretekstin e mbrojtjes së tyre nga zonat e luftës, ushtria ruse ka rrëmbyer sistematikisht një numër të madh të fëmijëve ukrainas. Sipas Laboratorit të Kërkimeve Humanitare të Shkollës së Shëndetit Publik në Jejl [Yale], 8 400 fëmijë ukrainas ndodhen aktualisht në rreth 60 institucione në Rusi dhe Bjellorusi. Këto institucione shërbejnë si porta për birësim nga prindër rusë dhe për përfshirje në programe “riedukimi” që synojnë zhdukjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor ukrainas. Edhe pse për këto rrëmbime në vitin 2023 GjNP-ja lëshoi aktpadi ndaj presidentit Vladimir Putin dhe komisioneres për të Drejtat e Fëmijëve në Rusi, Maria Lvova-Belova, abuzimet kanë vazhduar pa u ndalur. Si shenjë përçmimi ndaj vendimit të GjNP-së, deputeti ultranacionalist i Dumës shtetërore, Sergey Mironov, adoptoi Margaritën - një vajzë dyvjeçare e rrëmbyer nga forcat ruse nga spitali rajonal i fëmijëve në Herson. Përmes publikimit të listave me jetimë ukrainas, Ministria e Arsimit e kontrolluar nga Rusia, në Luhansk ka institucionalizuar trafikimin e fëmijëve. Adoleshentët ukrainas po dërgohen gjithashtu në kampe për stërvitje ushtarake dhe rekrutohen për në vijën e frontit. Ndërsa abuzimet e Rusisë ndaj fëmijëve të zhdukur janë veçanërisht tronditëse, ato janë vetëm një pjesë e shkeljeve të shumta kundër personave të zhdukur. Shumica dërrmuese e robërve të luftës ukrainas mbahen në fshehtësi të plotë dhe familjet e tyre nuk dinë nëse janë gjallë apo të vdekur. Në këto qendra të izoluara, robërit ukrainas u nënshtrohen sistematikisht torturës dhe u mohohet trajtimi mjekësor për plagët që kanë. Ekzekutimet e menjëhershme - përmes metodave primitive, si prerja e kokës me shpatë - po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Për shkak të kufizimeve të qasjes për organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe mungesës së informacionit të besueshëm, është shumë i vështirë kthimi i personave të zhdukur ukrainas gjatë kohës së luftës. Megjithatë, edhe në kushte të tilla janë shënuar disa përparime të rëndësishme. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërmjetësuar lirimin e rreth 5 000 robërve të luftës, ukrainas dhe rusë, përmes shkëmbimeve. Rreth 1 400 fëmijë ukrainas janë kthyer gjithashtu te prindërit e tyre. Ndërmjetësimi i Katarit dhe përpjekjet e rastësishme, si dialogu i Zonjës së Parë, Melania Trump, me Putinin, kanë qenë thelbësore në lehtësimin e këtyre kthimeve. Edhe pse këto zhvillime janë shpresëdhënëse, mbetet ende shumë për të bërë. Vendimi i ShBA-së në mars 2025, për të ndërprerë financimin shtetëror për Laboratorin Humanitar të Kërkimeve në Jejl - që ka identifikuar 30 mijë fëmijë ukrainas - është një gabim i rëndë. Po aq e dëmshme është edhe tërheqja e ShBA-së nga Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen Penale të Krimit të Agresionit kundër Ukrainës. Pasi këto degë ulliri ndaj Putinit nuk e kanë nxitur Rusinë drejt paqes, ShBA-ja duhet të rifillojë mbështetjen e plotë për këto iniciativa të rëndësishme dhe ta ngrejë çështjen e rikthimit të ukrainasve të zhdukur në agjendën e saj ndërkombëtare. Partnerët perëndimorë të Ukrainës duhet gjithashtu të forcojnë sanksionet kundër individëve dhe institucioneve ruse të përfshira në këto shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Vendimi i Britanisë, më 3 shtator, për të sanksionuar 11 shtetas dhe organizata ruse të përfshira në riedukimin e fëmijëve ukrainas, është një precedent për atë që duhet bërë. Marrëveshja e Trumpit për paqe në Gazë ishte një fitore për viktimat e zhdukjeve të dhunshme anembanë botës. Tani është koha që ai ta zgjerojë këtë sukses edhe në Ukrainë. /Telegrafi/