Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e trafikut në Gjilan, ka ndaluar një person për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”. Sipas raportit të institucioneve, aksidenti ndodhi në aksin rrugor “Adem Jashari” në qendër të qytetit. I dyshuari me inicialet E.B., duke vozitur një veturë BMW me targa 06-530-GS, humbi kontrollin mbi automjetin teksa afrohej tek semaforët, duke kaluar jashtë rrugës në anën e djathtë. Si pasojë, ai goditi një pemë dekorative, më pas një këmbësor dhe përfundoi në oborrin e ish-shtëpisë së mallrave në Gjilan. Rasti është cilësuar sipas nenit 372 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe prokurori ka vendosur ndalimin e E.B. për 48 orë. Vendimi për masën e sigurisë do të merret brenda afatit ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.