Drejtori i AC Milan, Igli Tare, ka folur para ndeshjes ndaj Romës duke komentuar formacionin e ri të kuqezinjve, ku Rafael Leao dhe Christopher Nkunku do të luajnë për herë të parë bashkë në sulm. Shkaku i lëndimeve, “Rossonerët” u detyruan të bëjnë ndryshime në sulm, por Tare është mëse i sigurt se do të funksionojë. “Kjo është hera e parë që Leao dhe Nkunku luajnë si titullarë së bashku. Është e vërtetë që kanë karakteristika të ngjashme, por Nkunku ka luajtur si qendërsulmues në rreth 70% të karrierës së tij. Në stërvitje kanë treguar se mund të kombinohen mirë, ndaj do ta shohim si do të funksionojë në ndeshje”. Ai foli gjithashtu për Santiago Gimenez, i cili ndodhet në një periudhë të vështirë. Igli Tare “Gimenez nuk është në formën e tij më të mirë, por ka besimin e plotë të klubit dhe të stafit teknik. Dëmtimi i tij erdhi në një moment të keq si për të ashtu edhe për ne, por duhet të shohim përpara — këto gjëra ndodhin në futboll”. I pyetur për komentet e Massimiliano Allegrit, i cili kishte thënë se “është e vështirë të kuptosh mentalitetin e Leaos”, Tare u përgjigj: “E kam njohur shumë mirë Leaon. Njerëzit kanë një ide të gabuar për të nga jashtë, por ai është shumë ndryshe nga çfarë mendohet”. “Është një djalë shumë i mirë dhe një lojtar që mund ta fitojë ndeshjen vetëm. Jam i bindur se do të bëjë një paraqitje të madhe sonte.” Në fund, drejtori kuqezi u shpreh se skuadra duhet të ruajë besimin dhe energjinë pozitive: “Duhet të mendojmë pozitivisht. E dimë që nuk është e lehtë, por kjo është rruga për të ecur përpara”./ Telegrafi /