Zafir Berisha mbështet Artan Abrashin në balotazh për Prizrenin

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), Zafir Berisha, ka njoftuar se subjekti i tij do ta mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në balotazhin për kryetar të Komunës së Prizrenit. Në një reagim publik, Berisha ka theksuar se ky vendim nuk është marrë për interesa partiake, por “për Prizrenin dhe kundër hajdutëve të rinj e të vjetër që po e trajtojnë qytetin si mall kusuritjeje në treg”. “Prizreni është shtëpi e qytetarëve të saj, pa dallim, jo i atyre që e trajtojnë si pronë private. Ne kemi hyrë në garë për ta qeverisur ndershëm, me vizion dhe përgjegjësi”, ka shkruar Berisha. Ai shtoi se qëllimi i BDP-së është ta çojë përpara qytetin, pavarësisht dallimeve politike. “Në balotazh nuk do të vendosi për Albinin apo për Memli Krasniqin, sepse për mua janë njësoj. Unë kam vendosur për Prizrenin pa hajdut”, ka deklaruar ai. Berisha theksoi se BDP nuk po heq dorë nga parimet e saj, por po i vë ato “në shërbim të qytetit”, duke theksuar se Prizreni ka nevojë për “punë të ndershme, zhvillim të qëndrueshëm dhe qeverisje që i shërben njerëzve, jo grupeve të interesit PDK–LDK”. Në fund të reagimit, ai ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në raundin e dytë të zgjedhjeve: “Në këtë balotazh, ju ftojmë të votoni për ndryshim, për transparencë e bashkim. Sepse kur qyteti vjen i pari, të gjithë fitojmë. Bashkimi Demokratik i Prizrenit për qytetin, jo për pushtetin.”