Neville e thotë publikisht: Vetëm një ekip mund ta ndalë Arsenalin nga titulli kampion i Anglisë

Gary Neville ka përjashtuar Manchester Cityn nga gara për titull dhe beson se Liverpool është “i vetmi ekip” që mund t’i mohojë Arsenalit trofeun e Ligës Premier. Forma mbresëlënëse e Arsenalit vazhdoi të shtunën, teksa skuadra e Mikel Artetës mposhti Burnleyn 2-0. Golat në pjesën e parë nga Viktor Gyokeres dhe Declan Rice i siguruan “Topçinjve” fitoren e nëntë radhazi në të gjitha garat, ndërsa mbrojtja e hekurt regjistroi portën e shtatë të paprekur radhazi. Arsenali shihet si favorit i qartë për të fituar titullin e parë të Ligës Premier që nga viti 2004 dhe Neville është i bindur se këtë herë trofeu do të përfundojë në “Emirates”. “Shiko, Arsenali mund ta humbasë titullin nga ky pozicion. E kuptoj pse Arteta, lojtarët dhe tifozët e Arsenalit po përpiqen të shmangin presionin duke mos e quajtur veten favoritë. Por ata janë ekipi më konsistent dhe po e ndërtojnë këtë sukses prej tre apo katër sezonesh”. Arsenal “I kam parë si pretendentë edhe më parë, por kanë dështuar në momentin vendimtar. Mendova se duhej ta fitonin vitin e kaluar, kur Liverpool mori titullin, sepse nëse City binte nga ritmi, Arsenali ishte ekipi që duhej ta përfitonte”. Sipas tij, këtë sezon nuk ka më justifikime: “Nuk do të ketë shumë njerëz që do t’i falin Arsenalit nëse nuk e fiton. Nuk po përpiqem t’u shtoj presion, por thjesht mendoj se janë ekipi më i mirë dhe kanë skuadrën e duhur për ta bërë.” “Në të kaluarën, nëse Liverpool humbiste Van Dijkun ose Salahun, do të ishte problem. Por te Arsenali nuk shoh ndonjë lojtar që, nëse mungon, skuadra do të rrëzohet. Edhe mbrojtësit qendrorë mund të zëvendësohen falë afrimeve të verës.” “Nuk mendoj se Manchester City do të kthehet në nivelin që ka qenë. Pep Guardiola është gjeni, por këtë sezon nuk e ka skuadrën në atë ritëm. Liverpool është i vetmi ekip që mund ta ndalojë Arsenalin, por duhet të rikthehet shpejt në formë nëse do të ketë shanse reale”./ Telegrafi