Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri e kryesuar nga Xhafer Tahiri ka dalë me një njoftim për anëtarësinë dhe aktivistët e saj, pasi ish-deputetja Rrezarta Krasniqi, anëtare e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtur një takim me anëtarë. Në komunikatën e lëshuar nga Kryesia e Degës, thuhet se çdo aktivitet apo mobilizim politik në emër të LDK-së në Vushtrri organizohet dhe koordinohet vetëm nga strukturat zyrtare të partisë. “Çdo veprim jashtë këtij koordinimi, veçanërisht në prag të balotazhit, konsiderohet tentim përçarjeje të strukturës sonë dhe dëmtim të votës së LDK-së,” thuhet në reagim. Rrezarta Krasniqi: LDK në Vushtrri nuk i nënshtrohet pazareve politike LDK-Vushtrri ka bërë të ditur se partia nuk ndërtohet mbi pazare apo interesa personale, por mbi parime, dinjitet dhe besim qytetar. “Sa i përket individëve që kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me subjekte të tjera për interesa personale apo biznesore, theksojmë se LDK nuk vepron mbi baza të tilla,” thuhet më tej në njoftim. Në fund, Kryesia e Degës u ka bërë thirrje anëtarëve dhe aktivistëve të qëndrojnë të bashkuar, duke mos rënë pre e thirrjeve të paautorizuara: “Mos lejoni përçarje. Qëndroni të organizuar. LDK është më e madhe se çdo interes personal. Fjala jonë është besimi i qytetarëve të Vushtrrisë.”