Bajrami: Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK, ajo është përgjegjëse për rënien e partisë në 2021

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka më vend në këtë subjekt politik. Sipas saj, Osmani mban përgjegjësinë kryesore për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e vitit 2021. Në një intervistë në emisionin Debat Plus, Bajrami tha se qëndrimi i saj është personal, por i prerë. “Sipas meje personalisht, Vjosa Osmani është personi fajtor kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka rënë në 12 për qind. Ju rikujtoj deklaratën e saj se nëse ajo nuk është në LDK, nuk është në politikë. Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK”, tha ajo. Ajo shtoi se rikthimi i Osmanit në parti do të ishte “ofendim për votuesit besnikë të LDK-së”. “Nëse do të kthehej në LDK, LDK do t’i ofendonte dhe në një mënyrë do t’i përjashtonte votuesit e saj të besueshëm, ata që kanë qenë me partinë në kohë të mira e të vështira. Kjo do të ishte kundër vullnetit të tyre”, u shpreh Bajrami. Nënkryetarja e LDK-së theksoi se kjo çështje nuk është diskutuar në forumet e partisë, por se mendimi i saj është i qartë. “Me dëshirë, kurrë votë për Vjosa Osmanin nuk ka. I ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh LDK-së”, përfundoi ajo.