Pas një operacioni disaorësh kërkimi, policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes që tronditi mbrëmjen e së shtunës fshatin Gjorm të Selenicës në Vlorë. Në pranga ka rënë Bertil Alliaj, i cili akuzohet për ekzekutimin me armë zjarri të kushëririt të tij, 36-vjeçarit Dalan Alliaj. Pas krimit, autori u largua drejt zonës malore dhe qëndroi në arrati disa orë. Forcat e rendit organizuan një operacion kërkimi dhe rreth orës 01:05 të mëngjesit, pas pesë orësh ndjekjeje, Bertil Alliaj u arrestua në një zonë pyjore pranë Gjormit. Para hetuesve, Bertil Alliaj u shpreh se “E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them tani.” Ngjarja ndodhi mbrëmë, kur viktima, banues në Levan të Fierit, kishte shkuar për vizitë tek të afërmit në Gjorm. Sipas policisë, ndërsa ndodhej pranë derës së banesës së xhaxhait, Dalan Alliaj u qëllua me gjashtë plumba në trup dhe ndërroi jetë në vend. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një armë zjarri të tipit “Beretta FS92”, një krehër dhe 10 fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur në krim. Në vendngjarje u sekuestruan 6 gëzhoja dhe një predhë. Bertil Alliaj është i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i përfshirë në masakrën e Çoles në vitin 2015, ku mbetën të vrarë tre persona. Ai rezulton i dënuar me 35 vite burg për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Viktima, Dalan Alliaj, 36 vjeç, ishte pronar i një pike tregtimi të pjesëve të këmbimit për automjete në Levan dhe njihej si një person i qetë.