Katër gjëra që nuk i kujtojmë nga fëmijëria nëse kemi pasur prindër toksikë

Kur rritemi me prindër emocionalisht të ftohtë, kritikë apo të paqëndrueshëm, truri shpesh shtyp kujtimet e dhimbshme për të mbijetuar. Megjithatë, rikthimi te ndjenjat e fshehura është hapi i parë drejt shërimit emocional Kujtimet nga fëmijëria shpesh janë të paqarta, por te personat që janë rritur me prindër toksikë , disa momente mund të jenë plotësisht të shtypura në kujtesë . Nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për ngjarje traumatike në kuptimin klasik, por për situata të vogla dhe të përsëritura , që kanë formësuar mënyrën se si e perceptojmë veten dhe të tjerët. Kur prindërit janë emocionalisht të ftohtë, tepër kritikë ose të paqëndrueshëm , fëmija mëson të shtypë ndjenjat dhe të ndryshojë sjelljen e vet për të mbijetuar në një mjedis të tillë. Edhe pse shumë gjëra mund të mos i kujtojnë, personat që janë rritur me prindër toksikë, mund të mësojnë t’i japin vetes sigurinë, butësinë dhe dashurinë që dikur u mungoi. Sipas specialistëve të shëndetit mendor, këto janë disa prej gjërave që shpesh nuk i kujtojmë nga fëmijëria, nëse kemi pasur prindër toksikë, transmeton Telegrafi. 1. Ndjenja e paqes dhe e lehtësisë Fëmijët që janë rritur me prindër toksikë rrallë kujtojnë momente të plotës së qetësisë dhe gëzimit pa frikë. Në vend të lojës dhe ndjenjës së sigurisë, fëmijëria e tyre ka qenë e mbushur me kujdes të vazhdueshëm, përpjekje të pafundme për të mos bërë “diçka gabim”. Në vend që të ishin spontanë, kanë mësuar herët të mendojnë çdo fjalë e çdo veprim , gjë që më vonë ua ka vështirësuar aftësinë për të shijuar momentet e thjeshta të jetës. 2. Ndjenja e sigurisë emocionale Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se fëmijët që rriten në familje toksike rrallë zhvillojnë ndjenjën se janë të dashur pa kushte . Në vend të ngrohtësisë dhe mirëkuptimit, ata kanë marrë dashuri të kushtëzuar , përmes kontrollit, ndjenjës së fajit ose heshtjes ndëshkuese. Shumë të rritur e kanë të vështirë të lidhen me emocionet e tyre, sepse nuk kanë mësuar kurrë se është e sigurt të ndjesh dhe të shprehësh atë që të dhemb. 3. Ndjenja se janë “mjaftueshëm të mirë” Shumë të rritur që janë rritur me prindër toksikë nuk kujtojnë asnjë moment kur janë ndjerë sinqerisht të pranuar. Në vend të lavdërimeve, kanë marrë kritika ose krahasime me të tjerët , dhe me kohën kanë mësuar se dashuria duhet “të fitohet”. Ky model shpesh vazhdon edhe në marrëdhëniet e mëvonshme, ku kërkojnë vazhdimisht miratimin dhe vlerësimin nga të tjerët për të ndjerë se kanë vlerë. 4. Përjetimi i butësisë dhe mbështetjes Psikologët theksojnë se njerëzit që janë rritur me prindër pa empati shpesh nuk kanë kujtime për gjeste të buta - një përqafim, një fjalë ngushëlluese, ose një shenjë mbështetjeje. Në vend të kësaj, kujtojnë ftohtësi, tension dhe ndjenjën se duhet të jenë “të fortë”. Mungesa e këtyre përvojave të vogla, por thelbësore, lë gjurmë të thella edhe në moshën e rritur , sepse njerëzit mësojnë të duan të tjerët në mënyrën si nuk janë dashur vetë. /Telegrafi/