Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë të ditur përfundimin e një faze të rëndësishme të punimeve në shëtitoren e re përgjatë Lumbardhit të Pejës, një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët dhe vizitorët gjatë gjithë vitit. Punimet përfshijnë ndërtimin e hapësirave të reja për ecje dhe pushim, një urë moderne lidhëse mbi lumin Lumbardh, si dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe zonave të gjelbëruara. Projekti synon të krijojë një ambient të këndshëm për banorët dhe turistët, duke e bërë Lumbardhin një pikë të rëndësishme të rekreacionit dhe zhvillimit turistik të qytetit. Në publikimin e tij, kryetari Muhaxheri theksoi se këto ndërhyrje janë pjesë e planit më të gjerë të komunës për rritjen e cilësisë së jetës urbane dhe zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme turistike. Zona tashmë përfshin shtigje për ecje, hapësira pushimi me stola, ndriçim modern dhe pamje të mrekullueshme të maleve përreth. Kjo shëtitore pritet të bëhet një nga atraksionet kryesore për qytetarët dhe turistët që vizitojnë Pejën. / Telegrafi /