Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën “UÇK” në Rahovec, ku janë përfshirë një veturë me targa vendore dhe një motoçikletë që drejtohej nga një mashkull kosovar. Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:25, ku si pasojë e përplasjes drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore. Fillimisht ai ka marrë ndihmën e parë në QKMF-në e Rahovecit, por më pas është dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, ku ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Edhe drejtuesi i veturës ka pësuar gjithashtu lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. /Telegrafi/