Nga video dhe përmbajtja te inovacioni dhe strategjitë për rrjetet sociale – çfarë na sjell e ardhmja?

Republika e Moldavisë është ndër vendet në Evropë që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por, së fundi ka pasur një lëvizje ku kosovarët mund të udhëtojnë në këtë ish-republikë sovjetike duke aplikuar për vizë online dhe me pasaportë të Kosovës. Kjo ndodh në një vend që po “lufton” për anëtarësim dhe integrim në Bashkimin Evropian, por që gjithashtu ndikohet nga Rusia në ekonomi, politikë, shoqëri dhe media. E ardhmja mbetet për t’u parë, por në fund të tetorit në kryeqytetin Chisinau u mbajt një punëtori për media ” organizuar nga Deutsche Welle (DW, Departamenti i Distribuimit për Evropë) me temën “Strategjitë e mediave sociale për publikuesit dhe transmetuesit në situata krize”. Telegrafi ishte pjesë e këtij aktiviteti, mes përfaqësuesve të mediave nga rreth dhjetë shtete evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian, Ballkanin dhe Moldavinë për të ndarë përvoja mbi transformimin digjital, strategjitë e përmbajtjes online dhe rolin e mediave lokale në situata krize dhe dezinformimi. Në fokus të punëtorisë ishin videot e shkurtra, përmbajtja vizuale, mënyrat për të rritur angazhimin në rrjete sociale dhe ndërtimin e strategjive efektive të komunikimit në kohë sfidash. Në sesionet e ndarjes së përvojave, u theksua rëndësia e përshtatjes së redaksive tradicionale me platformat e reja, si dhe roli i mediave rajonale në ruajtjen e besueshmërisë dhe etikës profesionale përballë krizave të informacionit. Programi i punëtorisë përfshiu sesione praktike dhe diskutime profesionale. Adelheid Feilcke prezantoi strategjinë e DW-së për videot e shkurtra, ndërsa Johanna Rüdiger ndau qasjen e DW-së për ndërtimin e strategjive të mediave sociale në kohë krize. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte sesioni “Newsfluencer, viral, trend & collabs” me ekipin e DW-së, i fokusuar në mënyrat kreative të bashkëpunimit dhe përfshirjes së audiencës në platformat digjitale. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësi të vizitonin redaksi lokale, të diskutonin për situatën politike dhe mediatike në Moldavi, si dhe për sfidat që lidhen me dezinformimin, presionin politik ndaj mediave dhe pavarësinë editoriale në vendet e rajonit lindor të Evropës. Programi përfshiu vizita në redaksinë e “Ziarul de Garda”, një ndër gazetat e pakta hulumtuese javore që publikon artikuj kundër korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, vizita në TV8, një kanal televiziv privat i njohur me qasje pro-evropiane si alternativë ndaj mediave të lidhura me Rusinë dhe pronarët oligarkë të ndikuar nga Moska. U diskutua gjithashtu me përfaqësues të mediave dhe organizatave nga Moldavia për rregullimin dhe manipulimin mediatik, si dhe për aspektet ligjore të funksionimit të medias. Ky aktivitet profesional u organizua nga "DW Distribution Europe" si pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal në fushën e mediave dhe inovacionit digjital. Përfaqësuesit e DW e vlerësuan pjesëmarrjen si një mundësi për “shkëmbim idesh dhe përvojash ndërmjet partnerëve kryesorë të Deutsche Welle nga rajoni, vendet e Ballkanit dhe BE-së". Kjo punëtori e DW dëshmoi se sfidat e mediave në epokën e krizave janë të përbashkëta, por zgjidhjet gjithashtu ekzistojnë – përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe profesionalizmit që tejkalon kufijtë politikë dhe shtetërorë . /Telegrafi/.