"Jam me fat që jam gjallë, por po vuaj", flet i mbijetuari i vetëm i rrëzimit të aeroplanit në Indi

I mbijetuari i vetëm i rrëzimit të aeroplanit Air India që vrau 241 persona ka thënë se ndihet "njeriu më me fat në botë", por është gjithashtu në dhimbje të forta fizike dhe mendore. Viswashkumar Ramesh, pamjet e pabesueshme të të cilit të tij duke u larguar nga vendi i rrëzimit të një fluturimi me destinacion Londrën në Ahmedabad janë bërë virale, e përshkroi mbijetesën e tij si një "mrekulli". Megjithatë, në aksidentin që ndodhi në qershor, ai humbi gjithçka, përfshirë vëllain e tij më të vogël Ajay, i cili ishte ulur vetëm disa rreshta më tutje. Kujtojmë se Boeing 787 u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga India perëndimore, pas së cilës shpërtheu në flakë. Pamjet që u përhapën në atë kohë treguan Rameshin duke u larguar nga vendi i aksidentit, me sa duket vetëm me lëndime të lehta, ndërsa tymi i dendur ngrihej pas tij. Në një intervistë me BBC, Ramesh tha: "Unë jam i vetmi i mbijetuar. Ende nuk e besoj. Është një mrekulli." “Por humba vëllain tim.” Tragjedia, thotë ai, ia ka shkatërruar jetën familjare. "Tani jam vetëm. Rri vetëm në dhomën time, nuk flas me gruan time, me djalin tim. Dua të rri vetëm", tha Ramesh. Menjëherë pas rrëzimit, ndërsa po shërohej në një spital në Indi, ai përshkroi se si arriti të lirohej dhe të dilte nga rrënojat. Atje e vizitoi kryeministri indian Narendra Modi. Bëhet e ditur se përveç pasagjerëve dhe ekuipazhit, 19 persona në tokë vdiqën në rrëzim. Midis të vdekurve në bord ishin 169 qytetarë indianë dhe 52 qytetarë britanikë. Një raport paraprak nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë, i publikuar në korrik, tha se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes. Hetimi është ende duke vazhduar. Ndryshe, përveç pasojave psikologjike, Ramesh vuan edhe pasoja të rënda fizike. Ai iku nga vendi i tij – 11A – përmes një vrime në trupin e aeroplanit dhe sot vuan nga dhimbje në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë. Për shkak të lëndimeve, ai nuk mund të punojë dhe as të ngasë veturën. "Kur ec, nuk eci siç duhet, ngadalë, ngadalë, gruaja ime më ndihmon", shtoi ai. /Telegrafi/