Dyshohet për kontrabandë me gjedhe nga Serbia - tre persona kapen në fshatin Hajkobillë të Prishtinës

Një rast i kontrabandimit me mallra është zbuluar mbrëmjen e së dielës në fshatin Hajkobillë të Prishtinës, ku policia ka hasur tre persona duke ngarkuar gjedhe në një kamion me targa vendore. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 18:00, kur njësiti policor gjatë patrullimit ka vërejtur tre të dyshuar meshkuj kosovarë duke ngarkuar në kamion tre krerë gjedhe - dy lopë dhe një viç. Gjatë verifikimit, është konstatuar se njëra nga lopët kishte numër matrikulimi të Serbisë, ndërsa dy të tjerat nuk posedonin asnjë shenjë identifikuese, çka ka ngritur dyshime për kontrabandim të kafshëve nga territori i Serbisë. Lidhur me rastin janë njoftuar Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Me urdhër të prokurorit, kamioni dhe gjedhët janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet rreth rastit po vazhdojnë nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës. /Telegrafi.