Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së dielës në Prizren nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 21:40 në rrugën “Ibrahim Rugova”. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar 51.57 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një peshore digjitale, 180 qese plastike të zbrazëta që dyshohet se përdoreshin për paketim të narkotikëve, para të gatshme dhe dy telefona celularë. Po ashtu, është sekuestruar edhe një veturë me targa vendore, e cila dyshohet se përdorej për transportimin e substancës narkotike. Të dyshuarit, pas intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi