Bayern Munich ka nisur negociatat për rinovimin e kontratës së mbrojtësit francez Dayot Upamecano, marrëveshja aktuale e të cilit skadon në vitin 2026. Lajmin e ka konfirmuar gazetari i njohur Fabrizio Romano, ndërsa drejtori sportiv i bavarezëve, Max Eberl, deklaroi se klubi “do të bëjë gjithçka të mundur” për të mbajtur në skuadër qendërmbrojtësin 25-vjeçar. Sipas Romanos, bisedimet me përfaqësuesit e Upamecanos janë tashmë në zhvillim e sipër dhe palët pritet të takohen sërish së shpejti për të vazhduar diskutimet. Megjithatë, e ardhmja e lojtarit nuk është plotësisht e qartë, duke tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane. Ndër to, skuadra nga Liga Premier, La Liga dhe Paris Saint-Germain po ndjekin nga afër situatën. PSG e konsideron Upamecanon si një opsion të mundshëm për mbrojtjen, por vetëm në rast se ai nuk rinovon me Bayernin. Klubi parisien, sipas Romanos, po respekton politikën e re të pagave, e cila bazohet në performancë dhe minutat e luajtura, dhe nuk ka ndërmend të ofrojë shifra të fryra, edhe për lojtarët e nivelit të lartë. Prioriteti i Bayernit mbetet rinovimi i kontratës me Upamecanon, por nëse ai vendos të mos firmosë, drejtuesit mund të orientojnë vëmendjen drejt tregut për një zëvendësues të mundshëm. Një nga emrat që ndodhet në listën e bavarezëve është mbrojtësi anglez Marc Guehi. /Telegrafi/