Njësitë e Trafikut Rajonal në Prizren kanë ndërmarrë masa ndaj disa ngasësve që kanë tejkaluar ndjeshëm kufirin e lejuar të shpejtësisë gjatë kontrolleve të fundit me mjete inteligjente, radarë mobil dhe radarë statik. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë datave 29 dhe 31 tetor 2025, në zonat me kufizim 50 km/h janë regjistruar raste të shpejtësive ekstreme — 104 km/h, 107 km/h dhe 140 km/h, përcjell Telegrafi. Të tre drejtuesit e mjeteve janë ndaluar nga njësitë policore dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masa ligjore në përputhje me Kodin e Komunikacionit Rrugor: Dy kundërvajtës janë ndëshkuar me gjobë prej 500 eurosh, 5 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për 6 muaj. Një kundërvajtës është ndëshkuar me gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për 3 muaj. Policia ka bërë të ditur se bashkë me komunikatën janë dorëzuar fotografi, video-incizime dhe fletëparaqitje zyrtare që dokumentojnë shkeljet e evidentuara. Në fund, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të shmangin tejkalimin e shpejtësisë dhe të kontribuojnë për siguri më të madhe në rrugë. / Telegrafi /