Presidenti Donald Trump pretendoi të dielën se vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën, kanë kryer teste bërthamore nëntokësore të panjohura për publikun dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin një shembull të tillë. "Rusia po teston, Kina po teston, por ata nuk flasin për këtë", tha ai për programin "60 Minutes" të CBS, në një intervistë të publikuar të dielën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. "Nuk dua të jem i vetmi vend që nuk teston", tha ai, duke shtuar Korenë e Veriut dhe Pakistanin në listën e kombeve që dyshohet se testojnë arsenalet e tyre. Siç theksojnë mediat, konfuzioni ka rrethuar urdhrin e Trump që Shtetet e Bashkuara të fillojnë testimet, veçanërisht nëse ai nënkuptonte kryerjen e shpërthimit të parë bërthamor të vendit që nga viti 1992. Republikani 79-vjeçar bëri njoftimin e tij të papritur me anë të një postimi në mediat sociale të enjten, pak minuta para se të hynte në një samit me udhëheqësin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut. Njoftimi erdhi pas deklaratës së Rusisë se kishte testuar një raketë të re me energji bërthamore, Burevestnik, dhe një dron nënujor me energji bërthamore. I pyetur drejtpërdrejt nëse planifikonte që Shtetet e Bashkuara të shpërthenin një armë bërthamore për herë të parë në më shumë se tre dekada, Trump i tha CBS: "Po them se do të testojmë armë bërthamore siç bëjnë vendet e tjera, po". /Telegrafi/