AVONET padit Qeverinë në detyrë, kërkon anulimin e vendimit për buxhetin 2026

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative një padi për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, nr. 02/273, të datës 31 tetor 2025, që miraton projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026. Sipas AVONET, vendimi i Qeverisë në detyrë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Për këtë arsye, organizata ka kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se “Qeveria në detyrë me rastin e miratimit të vendimit në fjalë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratoj projektligje.” AVONET argumenton se miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore përbën një akt me karakter administrativ dhe politik, që tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë. Organizata gjithashtu thekson se disa anëtarë të kabinetit tashmë janë në funksionin e deputetit të Kuvendit, duke shkelur parimin e ndarjes së pushteteve dhe ndalimin e ushtrimit të dy funksioneve publike njëkohësisht. Rrjeti i OJQ-ve kërkon nga gjykata që të anulojë vendimin e Qeverisë në detyrë si të paligjshëm dhe antikushtetues; të pezullojë efektet e tij deri në vendimin përfundimtar, duke garantuar respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe parimit të shtetit të së drejtës. AVONET thekson se ky veprim është i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional, duke siguruar që proceset buxhetore të zhvillohen në përputhje me mandatet legjitime dhe parimet demokratike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/