Taravari: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e pranuar rezultatin si një përgjigje të qartë nga qytetarët, por edhe duke shprehur reflektim për ecurinë e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI). Taravari në profilin e tij në Facebook shkruan se qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet. Faleminderit të Gjithëve! Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën. Ashtu si ata bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan! Ne si koalicion kemi më shumë vota popullore por nuk kemi kryetarë. Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë, aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census. Gjithsesi këto janë çaste të gëzuara me të drejtë për fituesit, janë çaste të vështira me të drejtë për ata që nuk ia dolën, janë çaste zemërimi për ata që u tradhëtuan, janë çaste qesharake për disa don kishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhëtuan, por me pak fjalë shumica është nën emocion dhe emocioni nuk lejon qartësi", shkruan Taravari. Ai në fund shtron edhe një pyetje se në këto zgjedhje a kanë fituar shqiptarët?. "Mua më ndihmon profesioni im të jem racional dhe i ftohtë përballë fakteve, dhe kam një pyetje: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?! Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqësisht shumë shpejt!", shton Taravari./Telegrafi/