Nga akademia e njohur e Red Bull Salzburg deri te një fillim i ri në Poloni, mesfushori me origjinë kosovare, Dijon Kameri, po ecën me hapa të sigurt drejt realizimit të ëndrrës së tij. Vetëm 20-vjeçar, ai tashmë ka luajtur në Ligën e Kampionëve, ka mbajtur shiritin e kapitenit në të gjitha grupmoshat e Austrisë dhe tani po kërkon të lërë gjurmë te Cracovia të Polonisë. I lindur në Austri, Kameri flet me emocion për periudhën e adaptimit në Poloni, për sfidat, për synimet e tij të mëdha dhe për lidhjen shpirtërore me Kosovën – vendin që, siç thotë ai, “gjithmonë ka një vend të veçantë në zemrën time”. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, qendërmesfushori fillimisht komentoi adaptimin te skuadra polake, duke krahasuar me ligat e tjera që ka luajtur në të kaluarën, Austri dhe Zvicër. “Adaptimi ka shkuar mirë, edhe pse fillimi nuk ka qenë i lehtë. Transferimi im nga Red Bull Salzburg në Cracovia ndodhi pasi ekipi veçse i kishte përfunduar përgatitjet për sezonin e ri dhe kishte zhvilluar tri ndeshje në ligë, ndaj më është dashur të punoj shumë për të arritur ritmin e skuadrës”. “Liga e Polonisë ka avancuar shumë vitet e fundit, sidomos në aspektin fizik dhe intensiv të lojës. Ajo që më ka ndihmuar më së shumti është pritja e ngrohtë nga stafi, bashkëlojtarët dhe tifozët. Andaj, po e shijoj këtë eksperiencë dhe jam mirënjohës për çdo moment, sepse çdo ditë më ndihmon të rritem si futbollist dhe si person”. Dijon Kameri Kalimi i ‘vonshëm’ në Poloni edhe i ka shkaktuar pak probleme lojtarit, shkaku që ende s’e ka fituar vendin në formacionin bazë, megjithatë Kameri beson se brenda një periudhe do të arrijë ta dëshmojë kualitetin. “Në çdo ekip konkurrenca është e madhe dhe kjo është e logjikshme, por unë e shoh si motivim, jo si pengesë. Më pëlqen të sfidoj veten çdo ditë, të mësoj nga bashkëlojtarët dhe të tregoj vlerën time kur më jepet mundësia. Siç e kam përmendur edhe më herët, në Cracovia kam ardhur me vonesë, dhe më është dashur kohë që të përgatitem dhe të arrij nivelin e duhur fizik dhe taktik”. “Jam shumë i kënaqur për minutat sa jam aktivizuar dhe kam pasur mundësinë ta tregoj veten, të kontribuoj me asistime dhe me energji pozitive për skuadrën. Besoj që e kam fituar një besim të mirë te trajneri”. Ish ylli i Salzburgut e pranoi se do të jetë jashtë fushës edhe për dy ose tre javë shkaku i lëndimit që pësoi kur përfaqësoi muajin e kaluar Austrinë U21. “Por, fatkeqësisht, në ndeshjen e fundit me Kombëtaren U21 të Austrisë ndaj Danimarkës pësova një lëndim, ndaj tani më duhet edhe pak kohë, rreth dy deri në tri javë, që të rikuperohem plotësisht dhe të rikthehem në fushën e gjelbër”. Cracovia aktualisht renditet e treta në tabelë, por 20-vjeçari beson se kanë kualitetin për të zënë një vend që të dërgon në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Dijon Kameri - Craicova “E kemi nisur shumë mirë sezonin dhe atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Ndihet një frymë e fortë bashkimi dhe besimi në çdo stërvitje, në çdo ndeshje. Të gjithë besojmë se mund të arrijmë lart, sepse kemi një grup me zemër, me karakter dhe me mentalitet fituesi”. “Sigurisht, synimi ynë është të sigurojmë një vend që na dërgon në garat evropiane, idealisht në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Natyrisht kjo është një ëndërr e jona dhe jemi të fokusuar në çdo lojë që të arrijmë qëllimin tonë – titullin kampion. Kameri gjithashtu shtoi se synon të zhvillojë sa më shumë minuta, si dhe të kontriboujë me gola e asistime. “Në aspektin personal, dua të luaj sa më shumë dhe të tregoj më të mirën time në çdo ndeshje. Dua të jem i rëndësishëm për ekipin, të ndihmoj me gola dhe asistime, por mbi të gjitha të tregoj përkushtim dhe karakter”. “Ky sezon për mua është shumë i rëndësishëm, sepse dua të bëj një hap përpara në karrierë. Jam i fokusuar të përmirësohem çdo ditë dhe të bëhem versioni më i mirë i vetes”. Pjesë e Austrisë U21, por nuk e mohon mundësinë e përfaqësimit së Kosovës Dijon Kameri ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e Austrisë, pra nga U15 deri në U21, mirëpo nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar. Për Telegrafin, Kameri konfirmoi se ka ndjenjë të afërt me Kosovën, por njëkohësisht është falënderues ndaj Austrisë, shtetit që e ka rritur. “Për momentin jam pjesë e kombëtares së Austrisë U21, ku si kapiten kam filluar nga grupmosha U15 e deri më tani. Është një ndjenjë e mirë të përfaqësosh vendin ku je rritur, ku ke mësuar dhe ke zhvilluar karrierën tënde”. “Por, në të njëjtën kohë, lidhja ime me Kosovën është shumë e fortë, ajo është pjesë e identitetit tim, e familjes, e historisë sime dhe e rrënjëve të mia. Kur dëgjoj himnin e Kosovës apo shoh flamurin, ndjej diçka të veçantë, një emocion që të kujton kush je dhe nga vjen. Vendimin përfundimtar për të ardhmen do ta marr në kohën e duhur, me qetësi, pjekuri dhe mbi të gjitha me zemër”. Kameri nuk e mohoi mundësinë që ta shohim në fanellën dardane falë lidhjes së ngushtë me Kosovën, si dhe konfirmoi kontaktet direkt me përzgjedhësin Franco Foda. “Po, ka pasur interesim nga Kosova edhe më parë, dhe kjo më bën shumë krenar. E dua Kosovën, është vendlindja e prindërve të mi dhe një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sime familjare. Çdo herë që flitet për Kosovën, e ndjej si diçka shumë personale. Kam respekt të madh për interesimin dhe për çdo bisedë që është bërë. Po mund të them se kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Franco Fodan dhe komunikimi ekziston”. “Lidhja emocionale me Kosovën është gjithmonë e veçantë. Kur të vijë momenti i duhur, gjithçka do të bëhet në mënyrën më të drejtë dhe të sigurtë. Dhe ta them sinqerisht se Kosova gjithmonë ka një vend të veçantë tek unë”. Për fund, ai nënvizoi se i ka shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe është i lumtur me përparimin e madh që ka bërë kombëtarja këtë periudhë. “Po, i kam ndjekur ndeshjet e fundit të Kosovës dhe mund të them me bindje se ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Skuadra luan me shumë identitet, zemër dhe besim. Ka shumë djem të rinj që po rriten bashkë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen”. “Ndeshjet e Kosovës i shikoj gjithmonë me emocion, edhe për faktin që prejardhja ime është nga ai vend i bukur, plot shpirt e pasion për futbollin. Kosova po tregon se ka potencial të madh dhe besoj se shumë shpejt do të jetë pjesë e garave të mëdha ndërkombëtare, sepse ky popull dhe kjo kombëtare e meritojnë”, përfundoi Kameri për Telegrafin. Kameri, vlera e të cilit është 1 milion euro në “Transfermarkt” këtë edicion ka zhvilluar tetë paraqitje në ligën polake, ku ka kontribuar me një asistim në proces./ Telegrafi /